Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shoqërimi i protestuesit, Lamallari i përgjigjet gazetarit: Policia veproi sipas protokolleve

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i është përgjigjur publikisht gazetarit Mentor Kikia, pasi ky i fundit denoncoi si “terror” shoqërimin e një aktivisti të protestës nga persona civilë në Tiranë. Lamallari i cilësoi pretendimet si të pabazuara, duke sqaruar se personat e shfaqur në video janë agjentë të Policisë Kriminale që vepruan në zbatim të ligjit, pas identifikimit të personave të dyshuar për sulme ndaj efektivëve gjatë protestës.

Reagimi i Ministrit Lamallari:

"z. Kikia,
Relativizimi i dhunës është një nga format më të shëmtuara të nxitjes së saj!
Brenda së njëjtës ditë, ju minimizuat një akt flagrant dhune ndaj një punonjësi policie, dukshëm i gjakosur pas goditjes në kokë nga individë të dhunshëm të cilët nuk mund të justifikohen kurrsesi në emër të kostove të një proteste. Aq më keq pastaj, kur vëmendja dhe përgjegjësia spostohet aty për aty tek mungesa e pajimeve mbrojtëse apo përgjegjësia e eprorëve. Kjo nuk është as më shumë dhe as më pak se fajësimi i ‘viktimës’!
Thënë sa më sipër, i shtyrë vetëm nga detyrimi moral dhe ligjor për të sqaruar opinionin publik lidhur me tymnajën e ‘terrorit’ të ngritur nga ju përmes videos së shpërndarë, sqaroj se:
Personat që shoqërojnë qytetarin e shfaqur në videon e publikuar janë punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë agjentë të Policisë Kriminale në një nga Komisariatet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Nga analizimi i pamjeve filmike të administruara, janë identifikuar persona të cilët, gjatë protestës, kanë goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin në krye të detyrës. Si pasojë e këtyre sulmeve janë dëmtuar 6 punonjës policie, 3 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të rënda fizike.
Në përmbushje të detyrave funksionale dhe në zbatim të ligjit, punonjësit e Policisë Kriminale kanë të drejtë të mbajnë në vëzhgim persona të dyshuar për përfshirje apo mbështetje të akteve të dhunshme gjatë tubimeve, si dhe, në momentet e përshtatshme operative, të kryejnë shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme procedurale.
Punonjësit e Policisë, në momentet e para të ndërhyrjes, i janë prezantuar personit të shoqëruar si agjentë të Policisë Kriminale.
Policia e Shtetit është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe ushtron veprimtarinë e saj vetëm brenda kuadrit të përcaktuar nga ligji.
Pretendimet për ushtrim “terrori”, të paraqitura në videon e publikuar, nuk qëndrojnë.
Punonjësit e Policisë kanë vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës dhe protokollet për menaxhimin dhe garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimeve."

Ja mesazhi i gazetarit Mentor Kikia në Facebook:

"Z. Minister i Brendshem! Çfare eshte ky terror neper rruge?

Dy civile rrembejne nje djale ne rruge, ne Tirane!
Kush jane keta? Ku po e cojne?

Mblidhni mendjen se keni rreshkitur fare. Ju jane errur syte. Si mundet, qe dy civile te pa identifikuar, te marrin me dhune nje njeri ne rruge, ne mes te qytetareve qe shastisen.
Sepse ky ishte nje aktivist proteste.

Edhe pse te protestosh nuk eshte veper kriminale!

Perplasja ne proteste eshte tjeter gje.
Ndalimi, edhe pa shkak madhor, nga police me uniforme mund te quhet i pranueshem.
Por, civile pa asnje shenje dalluese, qe nuk prezantohen dhe marrin “peng” njerez ne rruge eshte e frikshme.

E kuptoni ku po shkoni?

E mendoni c’mund te ndodhe nese rrugeve dalin kriminele, dhe ne te njejten menyre marrin peng njerez per arsye zhvatjeje, shantazhi, hakmarrjeje etj etj?

Nese dikush ne qeveri eshte ende me logjiken e ftohte, duhet te reagoje!
Avokati i Popullit duhet te ravoje!
Organizatat per te drejtat e njeriut duhet te reagojne.

Sot, sepse neser mund te jete vone!", shkruan Kikia./K.C/dritare.net