Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Tokio u kërkon burrave të shkojnë në punë me pantallona të shkurtra, revoltohen gratë

Në përpjekje për të përballuar vapën ekstreme të kësaj vere, autoritetet e Tokios po u bëjnë thirrje burrave të shkojnë në punë me pantallona të shkurtra. Nisma, pjesë e programit "Tokyo Cool Biz", synon të ulë ndikimin e temperaturave të larta dhe konsumin e energjisë, por ka ndezur debat në Japoni, ku shumë gra e konsiderojnë masën të padrejtë.

Sipas mediave japoneze, ndërsa burrat lejohen të veshin pantallona të shkurtra në zyrë, shumë gra thonë se vazhdojnë të ndihen të detyruara të mbajnë geta ose të respektojnë kode më të rrepta veshjeje. Të tjera kanë kritikuar nismën për një arsye krejt tjetër, duke e quajtur atë "leg hair harassment" (ngacmim p;r qimet e këmbëve), ose "sunehara", një term i krijuar në rrjetet sociale për të përshkruar sikletin që u shkakton shikimi i këmbëve me qime të kolegëve.

"Nuk po u themi njerëzve çfarë të veshin, por po u japim më shumë mundësi për t'u përballur me vapën. Nuk duhet të ketë problem, për sa kohë veshja nuk është fyese për askënd", deklaroi për BBC zyrtari i mjedisit në Bashkinë Metropolitane të Tokios, Noboru Watanabe.

Debati ka sjellë edhe pasoja të papritura. Klinikat estetike raportojnë një rritje të burrave që kërkojnë depilim me laser të këmbëve, jo vetëm për arsye estetike, por edhe për t'iu përshtatur etikës së re sociale në ambientet e punës.

Programi "Cool Biz" u prezantua fillimisht në vitin 2005 për të kursyer energji gjatë verës, duke nxitur punonjësit të hiqnin dorë nga kostumet dhe kravatat. Këtë vit ai është zgjeruar edhe me rekomandimin për pantallona të shkurtra, ndërsa Japonia po përballet me temperatura rekord, që në disa zona kanë kaluar 40 gradë Celsius.

Sipas autoriteteve japoneze, vetëm gjatë javës 6-12 korrik, shtatë persona humbën jetën nga goditja e të nxehtit dhe mbi 4.500 të tjerë përfunduan në spital si pasojë e temperaturave ekstreme./dritare.net