Zjarret dalin jashtë kontrollit në Francë dhe Spanjë, evakuohen dhjetëra mijëra banorë e turistë
Dritare.net

Dhjetëra mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga jugperëndimi i Francës dhe zonat pranë Madridit, ndërsa zjarret masive vazhdojnë të përhapen jashtë kontrollit, të favorizuara nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta.
Në Francë, autoritetet urdhëruan evakuimin e plotë të gadishullit turistik Cap Ferret, në perëndim të Bordosë, ku rreth 40 mijë persona janë larguar nga zona, shumë prej tyre me varka, ndërsa të tjerë përmes rrugëve tokësore. Prefektja e rajonit Gironde e ka cilësuar situatën si një "zjarr XXL", ndërsa flakët, që nisën të martën, kanë përfshirë tashmë rreth 10 mijë hektarë sipërfaqe.
Sipas autoriteteve franceze, deri tani janë shkatërruar 53 banesa dhe një kamping, ndërsa falë ndërhyrjes së zjarrfikësve janë shpëtuar rreth 2 mijë shtëpi. Zjarri u përhap me shpejtësi gjatë natës së së enjtes, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë edhe evakuimin e qytetit Arès.
Një tjetër vatër e madhe zjarri ka shpërthyer në rajonin Landes, pranë qytetit Biscarrosse, ku janë evakuuar mbi 23 mijë persona, përfshirë banorë, turistë, kampingje, një azil të moshuarish dhe një kamp veror. Deri tani janë identifikuar 105 banesa dhe ndërtesa të dëmtuara ose të shkatërruara nga flakët.
Ndërkohë, në Spanjë, qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare për shkak të zjarreve të fuqishme që po përhapen pranë Madridit. Presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e cilësoi situatën si "zjarrin më të rëndë në historinë e rajonit", ndërsa kryeministri Pedro Sánchez foli për një situatë dramatike dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
Në Francë, dy zjarrfikës humbën jetën të martën gjatë përballjes me flakët pranë aeroportit të Bordosë, ndërsa nuk janë raportuar viktima të tjera gjatë natës së fundit.
Për të ndihmuar në përballimin e emergjencës, Bashkimi Evropian ka dërguar tre avionë dhe dy helikopterë në Francë, si edhe katër avionë për operacionet e shuarjes së zjarreve në Spanjë./K.C/dritare.net