Historia e pabesueshme! U bënë shokë të ngushtë, më pas zbuluan se ishin motër e vëlla
Dritare.net

Ajo që nisi si një miqësi e zakonshme mes dy kolegëve në aeroportin e Mançesterit, përfundoi në një zbulim që ndryshoi jetën e tyre përgjithmonë. Dave Green dhe Andrea Urmston u bënë miq të ngushtë, derisa zbuluan se ishin motër e vëlla biologjikë.
Të dy u njohën në vitin 2005, kur punonin në role të ndryshme në aeroport. Gjatë dy viteve që pasuan, ata krijuan një lidhje të fortë, duke folur shpesh në telefon dhe duke kaluar kohë së bashku.
E vërteta doli rastësisht, kur Dave i tregoi Andreas se ishte birësuar dhe se mbiemri i tij në lindje ishte Proudlove. Andrea mbeti pa fjalë, pasi edhe mbiemri i saj i vajzërisë ishte Proudlove dhe e dinte se kishte një vëlla që ishte dhënë për birësim para se ajo të lindte.
Pasi verifikoi datën e lindjes me nënën e saj, dyshimet u konfirmuan: Dave ishte vëllai që familja kishte kërkuar prej dekadash. Ribashkimi me nënën e tyre ishte tepër emocional. “Kishte shumë lot dhe përqafime. Ishte e pabesueshme që më në fund ishim bashkë”, kujton Andrea.
Dave, i cili e dinte që në moshën 10-vjeçare se ishte i birësuar, thotë se kishte pasur një fëmijëri të lumtur dhe nuk kishte kërkuar kurrë familjen biologjike. Megjithatë, zbulimi se shoqja e tij më e mirë ishte në fakt motra e tij, ia ndryshoi jetën.
Sot, motër e vëlla jetojnë së bashku në Staffordshire të Anglisë dhe e quajnë ribashkimin e tyre “fitimi i llotarisë”, ndërsa janë mirënjohës që nëna e tyre arriti ta takonte djalin e humbur para se të ndërronte jetë./K.C/dritare.net