
Për shumë turistë të huaj, Shqipëria nuk është më vetëm një destinacion pushimesh. Pas disa ditësh të kaluara mes Tiranës, bregdetit dhe zonave turistike të vendit, disa prej tyre thonë se do ta mendonin seriozisht ta quanin Shqipërinë shtëpinë e tyre të re.
Në një vlog të realizuar nga DritareTV, turistë nga vende të ndryshme ndajnë përshtypjet më të bukura për vendin tonë. Mes komplimenteve për natyrën, ushqimin dhe historinë, një mesazh përsëritet vazhdimisht: "Duam të jetojmë në Shqipëri."
"Ne e duam Shqipërinë. Kemi parë shumë, por duhet të vish në Shqipëri për të përjetuar emocion. Duhet të shpërngulemi këtu. Ky është aplikimi ynë për të jetuar në Shqipëri. A mund të shpërngulemi këtu", thonë dy turistë nga Londra, të cilët tregojnë se janë mahnitur nga atmosfera dhe mikpritja që kanë gjetur.
Ata vlerësojnë veçanërisht Tiranën, duke e përshkruar si një qytet dinamik, ku gjithçka është pranë dhe ku është e lehtë të lëvizësh.
"Ky qytet ma ka vjedhur zemrën. Thonë se shtëpia është aty ku është zemra, dhe zemra ime tani është në Tiranë", shprehet njëri prej tyre.
Edhe turistë të tjerë japin të njëjtin mesazh. Një vizitor italian, djali i një diplomati që jeton prej kohësh në Shqipëri, tregon se ka krijuar miqësi të forta dhe se do të jetonte pa hezitim në vendin tonë.
"Njerëzit këtu krijojnë miqësi të vërteta. Të ndihmojnë, të flasin, të bëjnë të ndihesh pjesë e tyre. Nga përvoja ime, unë do të jetoja në Shqipëri", thotë ai.
Edhe turistë nga Holanda, Bullgaria, SHBA, Kanadaja, Polonia, Brazili dhe vende të tjera tregojnë se para se të vinin kishin shumë paragjykime ose dinin shumë pak për Shqipërinë. Por pas vizitës, mendimi i tyre ka ndryshuar plotësisht.
Ata flasin për një vend të sigurt, me natyrë mahnitëse, ushqim të shkëlqyer, histori të pasur dhe njerëz që i bëjnë të ndihen si në shtëpi.
"Do t'u themi të gjithë miqve tanë të vijnë në Shqipëri. Madje edhe ne do të rikthehemi sërish", është premtimi që dëgjohet vazhdimisht në fund të intervistave.
Nga një destinacion që dikur njihej pak nga turistët e huaj, Shqipëria po kthehet për shumë prej tyre në një vend ku jo vetëm duan të kalojnë pushimet, por edhe ku mund ta imagjinojnë jetën e tyre./dritare.net
