Evropa në flakë! Mbi 280 mijë persona evakuohen, ushtria zbret në terren
Dritare.net

Situata nga zjarret masive që kanë përfshirë Evropën Jugperëndimore vijon të përkeqësohet, ndërsa mbi 280 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre në Francë dhe Spanjë. Autoritetet po përballen me një nga sezonet më të rënda të zjarreve të regjistruara ndonjëherë, ndërsa erërat e forta dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e flakëve.
Në Francë, të shtunën u urdhërua evakuimi i zonave të gjera në periferi të Bordosë, përfshirë Le Haillan, Eysines dhe Mérignac. Kryeministri francez Sébastien Lecornu deklaroi se zjarret kanë arritur "një nivel të paprecedentë", ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka angazhuar ushtrinë për të ndihmuar në përballimin e emergjencës.
Më shumë se 1.000 ushtarakë pritet të marrin pjesë në operacionet në terren, ndërsa qeveria franceze ka dërguar edhe 1.5 milionë maska FFP2 në rajonin e Gironde për të mbrojtur banorët dhe ekipet e emergjencës nga tymi i dendur.
Edhe Spanja po përballet me një situatë kritike. Presidentja e rajonit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e cilësoi zjarrin si "më të keqin në historinë e rajonit", duke theksuar se temperaturat ekstreme, era dhe bashkimi i disa vatrave të zjarrit kanë krijuar një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme.
Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia, paralajmëroi qytetarët për ndotjen e lartë të ajrit në Madrid, ku nivelet e grimcave PM2.5 kanë kaluar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ajo u bëri thirrje njerëzve të shmangin aktivitetet në natyrë, të përdorin maska FFP2 ose N95 nëse dalin jashtë dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të vështirësive në frymëmarrje.
Ndërkohë, autoritetet britanike kanë përditësuar këshillat e udhëtimit për turistët. Për Spanjën rekomandohet shmangia e zonave të prekura në Madrid dhe Ávila, ndërsa për Francën udhëtarët këshillohen të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të verifikojnë situatën me operatorët turistikë ose strukturat ku do të akomodohen.
Përveç Francës dhe Spanjës, zjarre të mëdha janë regjistruar edhe në Parkun Kombëtar Cairngorms në Skoci, ku policia ka shpallur gjendje emergjence dhe janë evakuuar banorët e zonës së Nethy Bridge për shkak të përhapjes së pakontrolluar të flakëve.
Autoritetet në të dy vendet paralajmërojnë se kushtet meteorologjike gjatë orëve në vijim mund ta bëjnë edhe më të vështirë shuarjen e zjarreve, ndërsa prioritet mbetet shpëtimi i jetëve dhe mbrojtja e zonave të banuara./dritare.net