Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Edi Rama: Nisim me PS, planin "Besa" për shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar para grupit parlamentar të Partisë Socialiste një dokument të titulluar “Besa”, të cilin e lidhi me nevojën për të rikthyer besimin mes qytetarëve dhe institucioneve.

Rama tha se zgjodhi këtë emër pasi, sipas tij, nuk gjeti një fjalë tjetër që të shprehte më qartë synimin që vendimet e qeverisë të mos përjetohen nga qytetarët si “prerje në besë” dhe që ata të mos ndihen të padëgjuar, të painformuar apo të papërfillur.

“E kam titulluar me emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. E di që do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse do të hapë debat. Nuk gjeta asnjë fjalë që ta thotë më qartë që vendimet të mos përjetohen më si prerje në besë, të mos ndihen si të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur!”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se dokumenti do të diskutohet më tej dhe se ka përgatitur edhe një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste do të mbështesë atë që e cilësoi si një kthesë.

Rama tha se beteja politike nuk duhet të shihet si një përplasje mes qeverisë dhe qytetarëve, por si një përballje mes atyre që kërkojnë një Shqipëri më të drejtë dhe të besueshme dhe atyre që, sipas tij, kanë interes për një shoqëri të përçarë dhe pa besim te shteti.

“Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë e të besueshme dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të përçarë dhe pa besim te shteti”, u shpreh ai.

Duke iu referuar protestave të fundit, Rama tha se aleanca që nevojitet duhet të synojë mbrojtjen e kritikës dhe kthimin e zemërimit në ndryshim.

“Aleanca që na duhet është për ta mbrojtur kritikën, për ta kthyer zemërimin në ndryshim, pyetjen në provë dhe protestën nga një çast përplasjeje në një test pjekurie të demokracisë”, deklaroi Rama.