Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Brace: Vrasje me porosi në politikë, po synohet linçimi dhe poshtërimi

Deputeti socialist Erion Brace ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda Partisë Socialiste, duke hedhur akuza të forta për atë që e cilëson si një “vrasje me porosi” në politikë. Në një reagim të gjatë, Brace thotë se prej vitesh kjo praktikë përdoret ndaj personave që kanë mendimin e tyre, ndërsa akuzon përpjekjet për linçim dhe poshtërim të figurave politike.

Brace mohon gjithashtu që të jetë nxjerrë nga mbledhja e grupit parlamentar socialist dhe sqaron se është larguar vetë, pasi nuk kishte më çfarë të dëgjonte.

“Keni dëgjuar për vrasjet me porosi? kjo që do ju tregoj është një vrasje me porosi, në politikë, afërmendsh! Funksionon prej vitesh veçanërisht ndaj atij, atyre që ka e kanë mendimin e tyre. Është e njëjta teknologji si ajo e vezës – asaj me të cilën qëllohen deputetë pa asnjë shkak, pa asnjë arsye, pa i njohur e pa ju ditur emrin fare; është e njëjta linjë me të dhe synon linçimin, poshtërimin!

Dje, para se të flisja – ishte në fillim të mbledhjes, krejtësisht në mirëbesim të kryetarit të partisë që kërkoi aty që të flitej hapur – ju luta pjesëmarrësve në mbledhje, kishte më shumë se deputetë aty, të mos nxirrnin “jashtë shtëpie” fjalët e mia; ju thashë që nëse gjykoj të them diçka publikisht, e bëj vetë, s’ka nevojë ta bëjë kush për mua!

Dhe e zbatuan, nuk kanë nxjerrë në publik asnjë fjalë timen, por kanë nxjerrë gjithçka tjetër, duke shtuar e transformuar! Tani, meqë dje u mor një angazhim për ta bërë shembull atë që nxjerr jashtë shtëpie fjalët, mezi pres të shoh shembullin; në mungesë të tij, do më duhet të mendoj diçka tjetër që ka kohë që ma thonë.

Ndërkohë, mua nuk më ka nxjerrë kush nga mbledhja, nuk ka sesi, nuk ndodh – jam në këtë shtëpi para çdokujt aty; unë jam ulur dje kur nuk kam pasur më ç’të thosha!

(...) Unë kam ikur nga mbledhja vetë, kur nuk kisha më ç’të dëgjoja! Kjo është e vërteta dhe meqë ka ca kohë që mbledhjet regjistrohen të gjitha, mund edhe t’ua dokumentojnë!”