Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

“BESA”, metoda e re strategjike e qeverisë, nis testin e parë me projektin e Vjosë-Nartës

Dokumenti strategjik “BESA”, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama pas protestave të lidhura me projektin e aeroportit të Vlorës dhe zonën e Vjosë-Nartës, do të testohet për herë të parë pikërisht në këtë projekt.

Sipas dokumentit, që nuk është bërë publik zyrtarisht, por disponohet nga Report TV, qëllimi i “Metodës BESA” është të rrisë transparencën, dëgjimin publik dhe besimin e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes për çështje me interes të lartë publik.

Brenda 90 ditësh parashikohet zhvillimi i dëgjesave me banorë, peshkatarë, studentë, shkencëtarë, sipërmarrës dhe grupet që kanë protestuar. Gjithashtu, do të bëhet publik dokumentacioni që lejon ligji dhe do të kryhet një vlerësim paraprak i ndikimit mjedisor dhe ekonomik.

Dokumenti parashikon që në përfundim të procesit të shqyrtohen disa alternativa: vazhdimi i projektit me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi i tij. Vendimi do të bazohet në ligj, kontrata dhe evidencat e mbledhura gjatë procesit.

Një tjetër element i rëndësishëm është krijimi i platformës digjitale “Flamingo Mirror”, e cila synon të shërbejë si një pasqyrë publike e procesit. Në këtë platformë parashikohet të publikohen kalendari i hapave, dokumentet e lejueshme, raportet e dëgjesave, zotimet publike dhe statusi i zbatimit të tyre.

“BESA” përfshin shtatë mekanizma kryesorë: vlerësimin e dëgjesave, dosjen e evidencës, memorandumin shpjegues, indeksin e kujdesit, panelin e performancës, rishikimin pas veprimit dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm.

Në përfundim të testit pritet të hartohet një raport publik që do të pasqyrojë se çfarë u dëgjua, çfarë u provua, çfarë u vendos dhe arsyet e vendimit. Sipas dokumentit, ky proces synon që “BESA” të shërbejë si një metodë e re për vendimmarrje më transparente dhe më të kontrollueshme në çështjet me interes të lartë publik.