Christopher Nolan: Qeni im Charlie më bindi të realizoja "The Odyssey"! Regjisori zbulon skenën që e përloti
Dritare.net
Christopher Nolan ka zbuluar se vendimi për të sjellë në ekran "The Odyssey" nuk lindi vetëm nga dëshira për të ekranizuar veprën e Homerit, por edhe nga një përvojë personale me qenin e tij, Charlie. Në një intervistë për BBC, regjisori tregoi se pikërisht skena e ribashkimit të Odiseut me qenin besnik Argos e preku aq shumë, sa e bindi se duhej ta realizonte filmin.
Nolan tha se nuk ishte rritur me qen dhe se familja e tij mori për herë të parë një të tillë vetëm pasi fëmijët u larguan për në universitet.
"Një qen ta ndryshon jetën. Kur lexova pjesën me Argosin, u përlota. Sinqerisht, ishte një nga arsyet kryesore pse vendosa ta bëja këtë film", u shpreh regjisori. Ai e ka cilësuar madje "The Odyssey"" si historinë më të bukur për një qen, duke iu referuar besnikërisë së Argosit, i cili pret për vite të tëra kthimin e të zotit dhe mbyll sytë sapo e sheh sërish.
Filmi ka tërhequr vëmendje edhe për kolonën zanore. Kompozitori suedez Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar dhe bashkëpunëtor i hershëm i Nolanit, udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar isopolifoninë shqiptare, si edhe tingujt tradicionalë të fyellit të barinjve. Këto elemente janë përfshirë në kolonën zanore të "The Odyssey", duke sjellë për herë të parë këtë trashëgimi shqiptare në një superprodhim të Hollywood-it./K.C/dritare.net