Pica, makarona, patate. Si po i shkatërrojnë ushqimet fëmijët italianë!
Dritare.net

Italia po përballet me një rritje shqetësuese të mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët dhe adoleshentët. Sipas të dhënave të përmendura nga BBC dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fëmijët italianë janë ndër më të prekurit nga obeziteti në Evropë, ndërsa situata është veçanërisht serioze në jug të vendit.
Në disa zona të rajonit të Kampanias, më shumë se 40% e fëmijëve 8 dhe 9 vjeç janë mbipeshë. Specialistët thonë se një nga arsyet kryesore është ndryshimi i zakoneve ushqimore dhe largimi nga dieta tradicionale mesdhetare, e pasur me perime, bishtajore, vaj ulliri, drithëra dhe peshk.
Sipas ekspertëve, ushqimet ultra të përpunuara, pijet me sheqer, konsumi i shpeshtë i ushqimeve të pasura me kalori dhe mungesa e aktivitetit fizik po ndikojnë në shëndetin e fëmijëve. Në disa raste, prindërit nuk e kuptojnë se pesha e fëmijëve mund të jetë problem shëndetësor.
Përballë kësaj situate, autoritetet dhe institucionet arsimore po ndërmarrin programe për edukimin ushqimor. Më shumë se 17 mijë nxënës në 25 shkolla në rajon do të përfshihen në iniciativa që synojnë të përmirësojnë zakonet ushqimore të fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Në vitin 2025, Italia u bë vendi i parë që e njohu zyrtarisht obezitetin si një sëmundje kronike, progresive dhe rikthyese. Megjithatë, specialistët theksojnë se lufta ndaj obezitetit te fëmijët kërkon një qasje të kujdesshme, duke shmangur dietat tepër kufizuese dhe duke u fokusuar te ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe mbështetja e familjeve.
Ndërsa Italia përpiqet të përballet me këtë problem, dieta mesdhetare që dikur e bëri vendin model të ushqyerjes së shëndetshme duket se po humbet gjithnjë e më shumë terren te brezat e rinj./L.F-dritare.net