Shuhet në moshën 54-vjeçare pedagogu dhe eksperti i sportit, Artan Pogoni
Dritare.net

Sporti dhe akademia shqiptare janë tronditur nga një lajm i hidhur. Ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare Prof. Asoc. Dr. Artan Pogoni, një nga emrat e njohur të edukimit fizik, sportit dhe administrimit sportiv në vend.
Pogoni u nda nga jeta në Vlorë si pasojë e një infarkti. Ai ishte Shef i Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin “Barleti” dhe anëtar i Senatit Akademik të këtij institucioni.
Me një karrierë të gjatë akademike, doktor shkencash dhe autor i disa publikimeve shkencore e teksteve universitare, Pogoni kontribuoi në zhvillimin e shkencave të sportit, metodologjinë e stërvitjes dhe edukimin fizik.
Ai ishte gjithashtu i angazhuar në sportin elitar, duke mbajtur detyrën e drejtorit të sportit në Bashkinë e Tiranës dhe duke kontribuar në drejtimin e Barleti Volej si trajner i ekipit të femrave.
Kolegë, studentë dhe sportistë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesionisti që për vite me radhë punoi për zhvillimin e sportit dhe edukimin e brezave të rinj./K.C/dritare.net