Kreu i SPAK-ut flet për arrestimin e Ermal Beqirajt: Ishim në kontakt prej javësh me autoritetet franceze
Dritare.net

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se arrestimi i biznesmenit Ermal Beqiraj në Francë nuk ka qenë rastësor, por rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve franceze. Gjatë një takimi me gazetarët, Braho sqaroi se SPAK kishte prej javësh informacion mbi vendndodhjen e Beqirajt dhe kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm për kapjen e tij.
“Prokuroria, në çdo rast, sapo merr urdhrin e gjykatës, e dërgon për ekzekutim pranë organit që ka detyrën përkatëse. Në këtë moment është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe personi që ju përmendni është njëri prej tyre. Nuk ka qenë një veprim i rastësishëm. Prokuroria ka qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze, ka ndarë informacion me francezët, jo vetëm për kapjen e tij, por edhe për veprimet e tij. Për veprime të tjera do t’ju bëjmë me dije në vijim. Prokuroria e ka ditur se ku ai ndodhej dhe ka dërguar letërporosi para se ai të arrestohej”, tha Braho.
Ermal Beqiraj u arrestua në Francë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të dosjes “AKSHI”. Biznesmeni, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, akuzohet për disa vepra penale, mes tyre grup i strukturuar kriminal, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera publikë. Ai ndodhet në paraburgim në Francë, ndërsa pritet nisja e procedurave për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë./K.C/dritare.net