Miratohet Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026–2030, ministri Gonxhja: Synojmë afrimin me standardet evropiane
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, foli në një konferencë për gazetarët për Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026–2030.
Sipas ministrit, strategjia synon forcimin e rolit të kulturës në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, rritjen e mirëqenies, forcimin e kohezionit social dhe zhvillimin e balancuar të territoreve. Objektivi afatgjatë është konsolidimi i Shqipërisë si një qendër kulturore me rëndësi në Ballkanin Perëndimor dhe si aktore aktive në hapësirën kulturore evropiane.
“Sot në Këshillin e Ministrave ne miratuam Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026–2030, që synon krijimin e një kuadri më të plotë të politikave publike për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit kulturor në Republikën e Shqipërisë dhe përfshin periudhën 2026–2030 në përputhje me prioritetet kombëtare të zhvillimit, procesin e integrimit evropian dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit në fushën e artit dhe të kulturës.”
Strategjia parashikon gjithashtu rishikimin e kuadrit ligjor për artin dhe kulturën, modernizimin e normave për mbrojtjen e trashëgimisë dhe vendosjen e statusit të artistit si një kuadër ndërsektorial.
Sipas ministrit, një tjetër objektiv është promovimi i turizmit kulturor përtej monumenteve, përmes artizanatit, arteve skenike, krijimtarisë dhe trashëgimisë së përditshme. Strategjia synon që financimi për kulturën dhe rekreacionin të arrijë në nivelin 1–1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u afruar me mesataren evropiane.