Na ndiqni edhe në

Opinione

Përse nuk i dimë emrat e ministrave?

Nga: Gjon NDREJAJ

Ndonëse e ndjek me kujdes jetën shoqërore dhe zhvillimet politike, e kam të vështirë të mbaj mend emrat e të gjithë ministrave. Jo për shkak se janë shumë por për shkak se nuk ngjitin... Njëri nga ministrat doli në TV dhe po komunikonte përmbajtjen e një vendimi të KM pas mbledhjes që sapo ishte zhvilluar. Nuk e ndoqa që në fillim prezantimin e moderatores së lajmeve dhe për këtë shkak nuk e mora vesh emrin e tij. Pyeta miqtë e mi për rreth por asnjëri prej tyre nuk e dinte emrin e tij... Ky është një fenomen mjaft i përhapur, që flet më shumë për natyrën e politikës sonë, sesa për mungesë vëmendjeje të qytetarëve. Në një epokë ku informacioni është i bollshëm, harresa kolektive ndaj kabinetit qeveritar nuk është aksidentale, ajo ka shkaqe të thella strukturore, duke filluar që nga mënyra se si përzgjidhen ministrat.

Profili i një ministri luhatet midis tre karakteristikave bazike; politikanit, menaxherit dhe ekspertit të fushës. Të tre këto karakteristika kanë peshë të ndryshme por çdo ministër duhet t’i zotërojë ato në një raport të caktuar. Profesionalisht, shumica e ministrave shqiptarë vijnë nga tre kategori të ngushta: avokatë, këshilltarë ligjorë ose zyrtarë të aparatit të partisë,me një dominancë të theksuar të juristëve por pa një karrierë publike që të jetë evidentuar në media për ndonjë iniciativë personale apo profesionale. Këta nuk janë emra që kanë ndërtuar reputacion para se të bëhen ministra. Ata nuk janë profesionistë të suksesshëm që kanë krijuar vepra, as aktivistë të shoqërisë civile që kanë bërë fushata për ndryshime sociale. Ata janë kryesisht ekspertë kabineti, persona që kanë lëvizur në hije, brenda korridoreve të pushtetit, por që kurrë nuk kanë qenë objekt i vëmendjes publike më vete.
Një ministër duhet të jetë udhëheqës politik me vizion, por edhe të ketë një minimum ekspertize në fushën që drejton, e domosdoshme kjo për të kuptuar problemet dhe për të mos u manipuluar nga burokracia. Ai duhet të dijë të ndërtojë ekipe me profesionistë të vërtetë, të komunikojë qartë me publikun dhe të mbajë përgjegjësi para Kuvendit. Integriteti, transparenca dhe mungesa e konfliktit të interesit janë të domosdoshme në këtë rast. Ministri ideal nuk është as politikani i pastër, as eksperti i mbaruar por një individ që lidh politikën me dijen, duke i dhënë drejtim strategjik ministrisë dhe duke siguruar që vendimet të bazohen në fakte, jo në interesa të ngushta partiake.

Ministra si nëpunës të zakonshëm

Një analist me të drejtë e ka vënë gishtin në plagë kur tha se ministrat e Qeverisë Rama “po ngjajnë më shumë me nëpunës të zakonshëm të shtetit”. Dhe ky nuk është gjykim i rastësishëm, nuk është një konsideratë për thjeshtësinë e tyre, por është një diagnozë e një sistemi ku ministrat nuk zgjidhen për vizion apo autoritet në fushë por për besnikëri dhe aftësi ekzekutimi të urdhrave. Ata nuk janë as menaxherë të suksesshëm dhe as politikanë apo liderë të spikatur dhe kësisoj nuk lënë gjurmë në kujtesën kolektive.

Një ministër nuk bëhet i njohur vetëm sepse mban një portofol, përveç kësaj ai njihet nëse ka një histori, nëse ka shprehur mendime, nëse ka marrë pozicione publike para se të emërohet. Por modeli i përzgjedhjes në Shqipëri funksionon ndryshe. Kriteri kryesor i përzgjedhjes duket të jetë besnikëria ndaj kryeministrit dhe aftësia për të ekzekutuar pa diskutuar, jo ekselenca profesionale apo njohuria e thellë e sektorit. Kjo praktikë është e ngjashme me atë të komunizmit kur një sharrëtar i Pukës apo një kooperativiste e Krutjes, papritmas gdhiheshin një ditë të bukur, ministra... Pa diskutim që në të gjithë botën kryeministri ka një rol parësor në përzgjedhjen e kabinetit por një rrahje mendimi me forumet e partisë përpara një vendimmarrje është më se i domosdoshëm përkundër praktikës që sic thotë deputeti Braçe këto ngjarje i marrin vesh nga shpalljet...

Shumë nga ministrat kanë kaluar vitet e tyre formuese jo në terren apo në akademi, por pranë kryeministrit, si këshilltarë apo drejtues të njësive të vogla brenda partisë. Ata janë rritur në hije, jo në dritën e publikut. Por frutat që të piqen, kanë nevojë për diell... ata të hijes e kanë formën por jo shijen dhe as vlerat... Kur vjen momenti për t’u bërë ministra, ata nuk kanë asnjë kapital simbolik për të sjellë me vete , emri i tyre nuk lidhet me asnjë debat publik, asnjë artikull të rëndësishëm, asnjë projekt që të mbajë emrin e tyre, asnjë reformë të mëparshme.
Ndryshe nga vendet ku ministrat janë shpesh figura të njohura nga fusha e tyre , një ministër i Ekonomisë që ka qenë CEO i një kompanie të madhe, një ministër i Arsimit që ka shkruar libra shkollorë, një ministër i Shëndetësisë që ka drejtuar një spital publik, këtu në vendin tonë kemi një hendek të thellë midis portofolit dhe profilit. Dhe ky hendek është i vështirë të mbushet, sepse zor se gjendet një pikë referimi për ta lidhur emrin e ministrit me fushën përkatëse.

Mospërputhja e profilit me portofolin

Kur një ministër i Arsimit nuk ka shkruar asnjë libër pedagogjik, asnjë studim mbi kurrikulat, asnjë artikull mbi sistemin arsimor; kur një ministër i Bujqësisë nuk ka eksperiencë në agro-industri dhe nuk njeh asnjë fermer; kur një ministër i Turizmit nuk ka udhëhequr kurrë një agjenci turistike, atëherë publiku nuk gjen asnjë lidhje organike midis njeriut dhe detyrës. Ata duken si të huaj në postin e tyre, dhe kjo i bën të harrueshëm.
Kjo mospërputhje krijon atë që sociologët e quajnë “krizë legjitimiteti teknik”; ministri nuk njihet jo vetëm si person publik, por as si profesionist i fushës. Qytetari nuk e sheh atë si “ministri i tij i arsimit” , e sheh thjesht si një zyrtar tjetër që ka marrë një detyrë. Pa këtë lidhje substanciale, emri i tij nuk ka asnjë mundësi të ngjitet në kujtesë.

Përpara disa kohësh ,emisioni “Opinion” i TV Klan, bëri një sondazh për të parë sa i njohin shqiptarët ministrat. Rezultatet ishin aq të çuditshme sa dyshohet për manipulim votash... Por mbase gjëja më domethënëse ishte që ish kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i pyetur rastësisht në një vox-pop, deklaroi se nuk i njeh të gjithë ministrat me emër. Nëse as kreu i opozitës nuk i njeh ministrat e qeverisë, çfarë të presim nga qytetari i thjeshtë?
Profili i ulët i ministrave dhe mospërputhja e tij me portofolin e tyre dëmton rëndë besimin e publikut. Kur qytetarët shohin se Ministri i Mbrojtjes nuk ka asnjë lidhje me ushtrinë, Ministri i Arsimit s'ka punuar kurrë në shkollë, dhe zëvendësministrat e tij janë ekspertë të komunikimit ose tregtisë, ata kuptojnë se kriteri i emërimit nuk është kompetenca, por besnikëria partiake. Kjo krijon përshtypjen se qeveria nuk udhëhiqet nga ekspertiza, por nga interesa të ngushta. Si rrjedhim, publiku humb besimin se vendimet merren për të mirën e tyre. Kjo çon në apati, mos angazhim dhe përçmim të institucioneve. Dhe kur besimi në qeveri bie, bie edhe cilësia e demokracisë dhe e shërbimeve publike

Hierarkia e pushtetit

Por problemi më i thellë është struktural. Gjatë qeverisjes së tij të gjatë, kryeministri Edi Rama ka krijuar “një model qendërzimi të pushtetit në duart e tij”. Pushteti nuk është i shpërndarë mes ministrave, është i përqendruar te një person i vetëm. Dhe kjo ka pasoja të drejtpërdrejta te profili i ministrave. E vetmja prezencë e tyre në publik është ajo pas mbledhjes së KM kur prezantojnë vendime të fushës së tyre
Në një sistem të centralizuar, ministrat nuk kanë autonomi. Ata nuk dalin në publik për të shpallur politikat e tyre, sepse politikat vendosen nga kryeministri. Ata nuk marrin përgjegjësi personale, sepse përgjegjësinë e merr kryeministri. Ata nuk kanë nevojë të komunikojnë me publikun, sepse komunikimi bëhet nga një zë i vetëm ; ai i kryeministrit. Siç edhe e përmeendëm, padyshim që kryeministri është përgjegjësi kryesor për formulimin e politikave dhe ekzekutimin e tyre por në këtë kuadër çdo ministër duhet të ketë një hapësirë të nevojshme për të lundruar brenda tyre...

Edhe formimi apo ndryshimet në qeveri e pasqyrojnë, këtë realitet. Sipas analizave, “Edi Rama nuk e trajtoi formimin e qeverisë si një detyrë institucionale, por si një shfaqje televizive, ku emrat nuk u diskutuan, por u shpallën”. Të përzgjedhurit ministra habiten kur dëgjojnë emrin e tyre për të marrë një portofol por më të habitur mbeten qytetarët... Ky është një teatër ku ministrat janë aktorë pa tekst ; të pranishëm, por pa fuqi reale dhe pa identitet të pavarur.

Rotacioni i shpejtë, i fshin gjurmët?

Qeveria shqiptare ka një traditë të ndryshimeve të shpeshta të kabinetit. Kur një ministër qëndron në detyrë vetëm disa muaj, ai ska kohë për të lënë gjurmë, madje edhe ato gjurmë të krijuara fshihen menjëherë? Një ministër, që të njihet ka nevojë për kohë, kohë për të zbatuar politika, për të dalë në media, për të ndërtuar një histori. Por kur rotacioni është kaq i shpejtë, ministrat janë thjesht figura kalimtare. Ata nuk kanë kohë as të mësojnë detyrën, e lëre më të bëhen të njohur aq më tepër kur profili i tyre është i zbehtë.

Ndryshimi kërkon një qasje krejtësisht të re ndaj përzgjedhjes së ministrave. Në vend që të kërkohen besnikë, duhet të kërkohen personalitete me profil publik , njerëz që kanë një emër përpara se të marrin postin, që kanë shprehur mendime, që kanë një vizion të qartë për fushën e tyre. Kërkon gjithashtu ministra që ata të qëndrojnë gjatë në detyrë( sigurisht në vartësi të performancës) dhe që komunikojnë drejtpërdrejt me publikun, pa filtrin e kryeministrit. Por mbi të gjitha, kërkon një shpërndarje të pushtetit; ministra që kanë autonomi vendimmarrëse dhe që mbahen personalisht përgjegjës për rezultatet. Vetëm atëherë ata do të bëhen figura reale, jo hije, dhe vetëm atëherë publiku do të ketë arsye t’i mbajë mend dhe ajo që është më e rëndësishmja të ju besojë.

Derisa sistemi të ndryshojë, derisa ministrat të zgjidhen për ekspertizë dhe profil publik, jo për besnikëri; derisa të kenë autonomi dhe përgjegjësi personale; derisa të qëndrojnë gjatë dhe të komunikojnë vetë , do të vazhdojmë t’i takojmë në krye të lajmeve dhe të harrojmë emrat e tyre po atë ditë. Ata kanë profil që i mban në hije dhe një hierarki që i bën të pazëvendësueshëm vetëm në titull, por të harrueshëm në praktikë. Në një demokraci funksionale, qytetarët duhet t’i njohin ministrat jo sepse duhet t’i mësojnë përmendësh, por sepse ata janë bërës të politikave që prekin jetën e përditshme. Kur kjo lidhje prishet, nuk humbet vetëm emri i ministrit ; humbet edhe vetë ideja e përgjegjësisë publike.
Problemi i vërtetë nuk qëndron te mbajtja mend e emrave por te performanca e tyre. Kujtesa kolektive e njerëzve lidhet pikërisht me performancën e individëve, me veprimtarinë e tyre, që ka lënë gjurmë te publiku./dritare.net