Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Kam fajet e mia, por kurrë s'kam prekur prekur paratë, pronat dhe interesat e shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit në drejtësi dhe pasojat politike të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, duke deklaruar se proceset e reja të drejtësisë nuk tregojnë, sipas tij, rritje të korrupsionit në qeverisje, por forcim të luftës kundër tij.

Duke folur për aktivitetin e tij gjatë 28 viteve në shërbimin publik, Rama tha se mund të ketë bërë gabime, por mohoi kategorikisht të ketë përfituar nga paratë, pronat apo interesat e shqiptarëve.

“Duhet të kem fajet e mia, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk më bën dot askush me faj që në 28 vjet e 4 muaj në shërbim publik të kem prekur paratë, pronat dhe interesat e shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se ndaj tij janë bërë akuza të ndryshme ndër vite, por sipas tij nuk ekziston një provë që një person t’i ketë dhënë para në këmbim të një firme të firmosur prej tij si kryebashkiak apo kryeministër.

Rama u ndal më tej te hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve të lartë, duke argumentuar se përfshirja e funksionarëve të qeverisë në procese të drejtësisë nuk është provë se korrupsioni është shtuar.

“Korrupsioni po goditet, nuk po rritet”, deklaroi kryeministri.

Sipas Ramës, fakti që drejtësia po prek edhe persona me funksione të larta tregon, sipas tij, një ndryshim në raport me të kaluarën dhe mbështetjen që qeveria i ka dhënë reformës në drejtësi.

Ai theksoi se mazhoranca mbetet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, përfshirë rastet brenda radhëve të saj, duke pranuar edhe kostot politike që mund të sjellë ky proces.

“Jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reforma, qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi kundër korrupsionit i organeve të drejtësisë”, tha Rama.