Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Sekreti i gjumit mund të fshihet te drita, temperatura dhe mbrëmjet me të tjerët

Të flesh sapo perëndon dielli dhe të zgjohesh në agim nuk ka qenë domosdoshmërisht ritmi i njerëzve përgjatë historisë. Studimet te komunitetet Hadza në Tanzani, San në Namibi dhe Tsimane në Bolivi tregojnë se pjesëtarët e tyre zakonisht bien në gjumë disa orë pas perëndimit dhe flenë mesatarisht rreth 6,4 orë. Megjithatë, problemet me gjumin raportohen rrallë në këto komunitete.

Një shpjegim i mundshëm lidhet me temperaturën. Studiuesit vunë re se njerëzit priren të flenë kur ajri nis të ftohet dhe të zgjohen pranë orëve më të ftohta të natës. Edhe kohëzgjatja e gjumit ndryshon sipas stinës: në periudhat më të ftohta ata flenë më gjatë.

Studimi, i publikuar nga BBC vë në dukje edhe rolin e dritës së ditës dhe të mbrëmjeve të kaluara larg punëve të përditshme. Në komunitetet e vëzhguara, njerëzit mblidhen, bisedojnë dhe kalojnë kohë së bashku përpara se të flenë. Sipas studiuesve ky kalim më i qetë drejt natës dhe ndjenja e afërsisë me të tjerët mund të ndikojnë në mënyrën si përjetohet gjumi.

Mesazhi i tyre është që të mos pritet një natë gjumi identike çdo herë. Këto vëzhgime nuk do të thonë se pak orë gjumë u mjaftojnë të gjithëve: nevojat ndryshojnë nga njeriu në njeri. Nëse pagjumësia ose lodhja gjatë ditës vazhdon, këshillat e përgjithshme për rutinën e gjumit nuk zëvendësojnë vlerësimin nga mjeku./dritare.net