Princi Harry flet për herë të parë pas rikthimit në Britani
Dritare.net

Princi Harry ka folur për rikthimin e tij në Britaninë e Madhe, pas gjashtë vitesh jetese në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ndihet mirë që është sërish në vendlindje së bashku me familjen.
Duka i Sussex-it, i cili së bashku me Meghan Markle u largua nga detyrat si anëtar i lartë i familjes mbretërore në vitin 2020 dhe u vendos në Kaliforni, u rikthye për të jetuar në Britani muajin e kaluar.
“Jam shumë mirë që u riktheva në tokën britanike. Fëmijët janë të lumtur në shkollë dhe kjo më jep mundësinë të përqendrohem vërtet te Invictus Games në Birmingham, korrikun e ardhshëm”, tha Harry për televizionin kanadez CTV.
Familja besohet se është vendosur në një pronë private jashtë Londrës, në zonën e Cotswolds. Dy fëmijët e çiftit, Archie, 7 vjeç, dhe Lilibet, 5 vjeçe, janë rikthyer gjithashtu në Britani.
Megjithatë, vetëm pak ditë pasi nisën shkollën, fëmijëve iu desh të transferoheshin në një institucion tjetër për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Ekipi privat i sigurisë së Harry-t dhe Meghan-it kishte ngritur shqetësime lidhur me distancën dhe trafikun e rënduar gjatë rrugës për në shkollë.
Rikthimi i Dukës dhe Dukeshës së Sussex-it në Britani vjen ndërsa marrëdhëniet e tyre me familjen mbretërore vazhdojnë të jenë të tensionuara. Meghan ka qëndruar kryesisht larg syrit të publikut, ndërsa Harry ka zhvilluar disa aktivitete që lidhen me Invictus Games.
Lojërat do të zhvillohen në Birmingham nga 10 deri më 17 korrik 2027 dhe pritet të mbledhin rreth 550 ushtarakë e veteranë të plagosur ose të sëmurë nga 25 vende, të cilët do të konkurrojnë në 12 disiplina sportive të përshtatura.
Harry foli për rikthimin në Britani pasi realizoi një hedhje me parashutë pranë Torontos, për të përmbushur një premtim ndaj një veterani 102-vjeçar të Luftës së Dytë Botërore dhe për të rritur ndërgjegjësimin për organizatat bamirëse që mbështesin ushtarakët.
I pyetur se çfarë e shtyu familjen të rikthehej në Britani, Harry u përgjigj se kishte “shumë arsye”, por nuk dha detaje të tjera.
Ndërkohë, një tjetër çështje e rëndësishme mbetet siguria e familjes. Komiteti britanik që mbikëqyr mbrojtjen e familjes mbretërore dhe personave VIP pritet të rishqyrtojë nivelin e mbrojtjes policore për Harry-n dhe familjen e tij, tashmë që ata janë rikthyer si banorë me kohë të plotë në Britani./dritare.net