Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Jo vetëm projekti i famshëm i Kushner/ Rama: Do sjellim miliarda euro investime në Shqipëri

Miliarda euro investime të huaja pritet të hyjnë në Shqipëri përmes një sërë projektesh të mëdha që, sipas kryeministrit Edi Rama, janë në përgatitje. Nga New Yorku, Rama deklaroi se projekti i Jared Kushner në Sazan është vetëm një prej investimeve që synohen të realizohen në vend.

Në të njëjtën kohë, kryeministri iu përgjigj edhe kritikave për ardhjen e investitorëve të huaj dhe blerjen apo zhvillimin e pronave në Shqipëri. Rama e cilësoi “të neveritshëm dhe të turpshëm” sloganin “Shqipëria u përket shqiptarëve”, duke argumentuar se edhe miliona shqiptarë kanë emigruar, jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre në vende të tjera.

“Po përgatitemi që të hedhim në vend miliarda, jo vetëm me projektin e famshëm dhe të jashtëzakonshëm të Kushner, por edhe me projekte të tjera të mëdha. Në Shqipëri gjërat janë shumë të qarta. Pasi kemi kaluar një epokë poshtërimi, kur kushdo që donte të fitonte ndonjë palë zgjedhje në ndonjë vend europian e kishte të lehtë, duke treguar shqiptarët si delja e zezë. Na duhet të bëjmë shumë më tepër me më shumë kurajo, pa përjashtuar në një betejë të pakuptimtë ideologjike, zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe pa fajësuar të huajt që po vijnë e po na marrin tokën. Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar sloganin më të neveritshëm dhe më të turpshëm, ‘Shqipëria u përket shqiptarëve’. Por nëse do të kishte qenë e njëjta gjë për të gjitha vendet ku shkuan dhe lulëzuan shqiptarët, ne s’do të kishim bërë asgjë. Shqipëria i përket Zotit dhe mikut, ashtu si shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”, tha kryeministri Rama./K/C/dritare.net