Në burg shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë dhe kryekamerieri i vilave qeveritare, akuzohen se ndihmuan Ergys Agasin
Dritare.net

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në kompleksin e vilave qeveritare në Durrës.
Të dy dyshohen nga Prokuroria e Posaçme se kanë ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë periudhës kur ai qëndronte i fshehur, para arrestimit të tij.
Ndaj Fatjon Kalluçit rëndon akuza për “zbulimin e të dhënave sekrete grupeve kriminale”. Sipas SPAK, gjatë muajit gusht, para arrestimit të Agasit, Kalluçi dyshohet se i ka dërguar atij tre fotografi që lidhen me ekspertizën e automjetit “Land Rover Defender”, në pronësi të biznesmenit. Automjeti ishte sekuestruar gjatë kontrolleve të zhvilluara në “Equos Resort”.
Ndërkohë, Embro Sulejmani akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas hetimeve, ai dyshohet se i ka dërguar ushqime Ergys Agasit në banesën ku biznesmeni qëndronte i fshehur.
Të dhënat mbi komunikimet mes tyre, sipas SPAK, janë zbuluar në telefonin e sekuestruar Ergys Agasit.
Mbrojtja e Kalluçit dhe Sulejmanit pritet t’i kërkojë GJKKO-së shpalljen e moskompetencës së kësaj gjykate. Në të kundërt, avokatët do të kërkojnë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Sot masa e sigurisë edhe për ish-kreun e SHISH
Ndërkohë, në orën 12:00, GJKKO pritet të japë edhe vendimin për masën e sigurisë ndaj ish-kryetares së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Hyseni ndodhet aktualisht nën masën “arrest në shtëpi”, të vendosur nga SPAK, ndërsa më herët është liruar nga detyra.
Ajo akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas SPAK, gjatë hetimeve janë gjetur në automjetin e Ergys Agasit nëntë faqe me dokumente të klasifikuara të SHISH. Prokuroria dyshon se këto dokumente mund t’i jenë vënë në dispozicion biznesmenit nga Hyseni.
Ish-kreu i SHISH është marrë në pyetje më 18 shtator nga SPAK, ndërsa, sipas pretendimeve të saj, komunikimet me Agasin kanë qenë të lidhura me bashkëpunimin e tij si informator i shërbimit sekret.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa vendimet e GJKKO-së pritet të përcaktojnë masat e sigurisë ndaj personave të përfshirë në dosje.