Zbulohen mesazhet mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, komunikime të shpeshta deri para arrestimit
Dritare.net
Zbulohen detaje të reja nga komunikimet mes ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi, në kuadër të hetimeve të SPAK.
Sipas burimeve të raportuara nga Report TV, mes Hysenit dhe Agasit ka pasur komunikim të vazhdueshëm, me më shumë se 100 telefonata dhe qindra mesazhe në periudhën nga 28 qershori deri më 26 gusht, kur Agasi u arrestua.
Në të dhënat e sekuestruara dyshohet se janë evidentuar edhe telefonata me videocall, fotografi dhe video të shkëmbyera mes tyre.
Një prej mesazheve të publikuara i atribuohet Vlora Hysenit, e cila i shkruan Agasit:
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt.”
Sipas të njëjtave burime, në një tjetër komunikim, katër ditë para arrestimit të Agasit, Hyseni i shkruante:
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt... do ia hedhim... problemi është koha.”
Mesazhet po verifikohen nga SPAK në kuadër të hetimit për marrëdhënien mes dy personave. Hyseni ka deklaruar para prokurorëve se komunikimi me Agasin ka qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit të SHISH, ndërsa sipas burimeve të cituara nga Report TV, prokuroria dyshon se natyra e komunikimeve mund të jetë ndryshe.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu të dhënat e telefonit të Agasit, ku janë gjetur komunikime të shumta me Hysenin, si dhe materiale që dyshohet se përmbajnë të dhëna sekrete të SHISH.
Çështja vijon të jetë nën hetim nga SPAK, ndërsa çdo person i përfshirë prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.