Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Berisha në mbledhjen e Kryesisë së PD-së: Të dhënat sekrete të SHISH, iu dhanë armiqve të NATO-s


Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi mbrëmjen e sotme një takim me Kryesinë dhe sekretariatet e PD-së, ku një pjesë të fjalës së tij ia kushtoi zhvillimeve të fundit në SHISH dhe hetimeve ndaj ish-drejtoreshës Vlora Hyseni. Duke iu referuar çështjes për të cilën Hyseni është nën hetim nga SPAK, Berisha ngriti akuza të forta ndaj saj dhe e lidhi rastin me hetimet për AKSHI-n. Kreu i PD-së pretendoi se ngjarjet e fundit kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me shërbimet partnere.

“Ne mblidhemi në një kohë kur regjimi i Ramës ka marrë goditjet më të rënda në tërë ekzistencën e tij, diskreditimin më të madh. Ka humbur çdo legjitimitet që të qeverisë këtë vend. Qeveria më e damkosur në Europë dhe më gjerë. Shteti ligjor është zëvendësuar me shtetin e mafies. Zinxhiri i skandaleve nuk ka fund. Nëse Lubia ka vjedhur qindra miliona euro, lubia tjetër e SHISH-it ka vjedhur më të çmuarën e një kombi, që është siguria kombëtare. Me ligje personi më përgjegjës direkt i sigurisë kombëtare rezulton një anëtare e shëmtuar e një grupi të strukturuar kriminal, që e kemi quajtur grupi mafioz më i rrezikshëm në Europë”, tha mes të tjerash Berisha.
Në fund të fjalës së tij, kreu i PD-së u ndal te pozicioni që Hyseni kishte si drejtuese e SHISH dhe te bashkëpunimi i institucionit me shërbimet inteligjente të vendeve partnere. Berisha pretendoi se hetimi ndaj ish-drejtoreshës ngre pikëpyetje serioze mbi besimin që kërkon një detyrë e tillë.

“Njeriu, që përfaqësonte Shqipërinë në partneritetin më të rëndësishëm, më delikat, më serioz, partneritetin me shërbimet e vendeve mike, rezulton se ishte një anëtare e grupeve më të rrezikshme mafioze kriminale. Rezulton se ajo ishte e padenjë për asnjë lloj besimi”, përfundoi Berisha.//dritare.net