Na ndiqni edhe në

Shqip

Pse e braktisi SHBA-ja, Kosovën? Flet Pëllumb Xhufi

Pëllumb Xhufi thotë se angazhimi amerikan ndaj Kosovës ka humbur intensitetin që kishte gjatë luftës dhe në vitet e para pas saj.

I pyetur në DritareTV nëse SHBA-ja e ka braktisur Kosovën, Xhufi nuk foli për një shkëputje të menjëhershme, por për një proces gradual.

“Pak nga pak. Domethënë ra intensiteti i angazhimit në Kosovë”, u shpreh historiani.

Megjithatë, Xhufi e konsideroi ndërhyrjen perëndimore në Kosovë si një rast të veçantë dhe të suksesshëm në historinë e ndërhyrjeve ushtarake të dekadave të fundit.

“Luftë e drejtë, të themi, një luftë e drejtë në të gjitha parametrat edhe e suksesshme”, tha Xhufi. Sipas tij, një nga elementët më të rëndësishëm të ndërhyrjes ishte fakti se ajo arriti të bashkonte Perëndimin dhe NATO-n në një aksion të përbashkët në zemër të Evropës.

“E bashkoi Perëndimin. E bashkoi për herë të parë në një aksion në mes të Evropës. Bombardimi i Serbisë e bashkoi”, u shpreh Xhufi, duke shtuar se ndërhyrja në Kosovë ishte edhe një moment i rëndësishëm për vetë Aleancën: “Ajo është një plus i madh për NATO-n edhe për Perëndimin demokratik.”

Por sipas Xhufit, me përfundimin e luftës dhe rikthimin e paqes, kjo frymë uniteti nisi të zbehej dhe shtetet iu rikthyen interesave të tyre individuale.

“Mirëpo mbas asaj vjen paqja dhe fillojnë prapë interesat”, tha historiani.

Xhufi foli edhe për atë që ai e konsideron një tërheqje më të gjerë të Shteteve të Bashkuara nga angazhimi që kishin treguar në Ballkan gjatë viteve ’90. Ai kujtoi përfshirjen amerikane në konfliktet në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe më pas në Kosovë, që kulmoi me ndërhyrjen ajrore të NATO-s në vitin 1999. Sipas Xhufit, ky ndryshim po ndodh në një moment kur edhe marrëdhënia mes SHBA-së dhe Evropës është transformuar. Në intervistë ai e cilësoi situatën aktuale në Ballkan si të rrezikshme, duke e lidhur shqetësimin e tij pikërisht me ndryshimet në raportet transatlantike.

“Jemi në një kontekst kur është prishur raporti i Shteteve të Bashkuara me Evropën në mënyrë katastrofale”, tha Xhufi, duke argumentuar se marrëdhëniet SHBA-Evropë dikur ishin “një aleancë e çeliktë”, ndërsa sot, sipas vlerësimit të tij, situata është shumë më e ndërlikuar.

Për Xhufin, zbehja e angazhimit amerikan ndaj Kosovës nuk është një zhvillim i izoluar, por pjesë e ndryshimeve më të gjera që kanë ndodhur në raportet ndërkombëtare pas luftës së vitit 1999./dritare.net