Na ndiqni edhe në

Shqip

Çfarë ndodhi në Pashaliman në 1981? Nëndetësja e huaj që alarmoi flotën! Flet komandanti Kastriot Xhelaj

Shqipëria kishte dikur katër nëndetëse ushtarake, një flotë nënujore që qëndroi në gatishmëri luftarake deri në vitin 1990. Por çfarë ndodhte brenda tyre, si jetonin dhjetëra ushtarakë të izoluar nën ujë dhe sa e fuqishme ishte kjo flotë?

Ish-oficeri i nëndetëseve Kastriot Xhelaj sjell në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, një dëshmi të rrallë nga vitet e shërbimit në Pashaliman, duke treguar për jetën e vështirë nën ujë, armatimin e nëndetëseve, misionet dhe një prej episodeve më misterioze të kohës: hyrjen e një nëndetëseje të huaj në gjirin e Pashalimanit në vitin 1981.

Xhelaj e nisi shërbimin në nëndetëse në vitin 1976. Por përpara se të bëhej pjesë e ekuipazhit, iu deshën gjashtë muaj përgatitje për të fituar të drejtën e shërbimit. Sipas tij, në nëndetëse ekzistonte një rregull i artë: “Mos e prek një gjë që nuk e di se çfarë është dhe përse shërben”.

Përgatitja ishte aq rigoroze sa oficerët dhe marinarët duhej të njihnin çdo mekanizëm të mjetit. Me kalimin e kohës, ata arrinin t'i gjenin çelësat dhe pajisjet edhe në errësirë të plotë.

Por jeta brenda nëndetëses ishte jashtëzakonisht e vështirë.

Xhelaj, i cili në rini kishte punuar edhe në minierën e Selenicës, bën një krahasim të fortë.

“Ajri në minierën e Selenicës ishte shumë i pastër në krahasim me ajrin në nëndetëse”, tregon ai.

Bateritë lëshonin avuj acidi sulfurik, ndërsa nafta dhe vajrat avullonin vazhdimisht. Ajër i kondicionuar nuk kishte dhe, gjatë lundrimit, dhjetëra pjesëtarët e ekuipazhit jetonin të mbyllur në të njëjtën hapësirë.

“Në lundrim ne merrnim frymën e njëri-tjetrit”, kujton ish-oficeri.

Një nëndetëse kishte një efektiv prej rreth 60-63 personash. Ata jetonin brenda një trupi kryesor rreth 58 metra të gjatë, ndërsa gjatësia e përgjithshme e nëndetëses arrinte në rreth 76 metra.

Vapa mund të bëhej ekstreme. Xhelaj kujton se kishte raste kur djersa grumbullohej në fund të pantallonave.

“Mbas një ore gjeta në fund të këmbëve të mia një kovë të hedhur me ujë. Në fakt ishte djersa ime”, rrëfen ai.

Pikërisht për shkak të kushteve të rënda, personeli konsumonte rreth 4.500 kalori në ditë. Sipas Xhelajt, ky nuk ishte privilegj, por domosdoshmëri për të përballuar shërbimin.

Nëndetëset shqiptare ishin edhe të armatosura rëndë. Sipas ish-oficerit, ato mbanin 12 silura dhe mund të merrnin deri në 22 mina magneto-akustike. Katër tuba silurash ndodheshin në pjesën e përparme dhe dy në pjesën e pasme, këto të fundit kryesisht për vetëmbrojtje.

Autonomia e tyre arrinte nga 30 deri në 45 ditë, ndërsa mund të zhyteshin deri në rreth 200 metra. Në praktikë, për shkak të vjetërsisë së mjeteve, lundrimet zhvilloheshin zakonisht në thellësi 100-120 metra.

Një nga episodet më të pazakonta që Xhelaj kujton është ai i vitit 1981, kur një nëndetëse e huaj hyri në gjirin e Pashalimanit.

“U fut një nëndetëse e huaj në gjirin e Pashalimanit në '81-shin”, tregon ai.

Për vite me radhë, sipas Xhelajt, rreth episodit qarkulluan versione se nëndetësja mund të kishte qenë sovjetike dhe madje me motor apo armatim bërthamor. Por ai thekson se kjo nuk u vërtetua.

“Që u fut një nëndetëse, u fut, sepse u morën të dhëna nga sonarët. Por që ishte bërthamore apo s'ishte bërthamore, asnjëri nuk e di”, thotë Xhelaj.

Ai hedh poshtë edhe versionin se mjeti qëndroi për disa ditë në gjirin e Vlorës. Sipas tij, të dhënat që kishin ushtarakët shqiptarë tregonin vetëm momentin kur nëndetësja u diktua dhe më pas kur u largua.

Në fund të rrëfimit, ish-oficeri ndalet edhe te një nga episodet më të njohura të historisë së Pashalimanit: përplasja me sovjetikët për nëndetëset.

Sipas tij, kur sovjetikët kërkuan të merrnin nëndetëset, komanda shqiptare urdhëroi artilerinë bregdetare të mbulonte daljen e Pashalimanit dhe nxori anijet e lehta mbiujëse për të penguar largimin e tyre.

Sot, nga ajo flotë ka mbetur nëndetësja 105, për të cilën Xhelaj kërkon të ruhet si muze.

“Ajo është një relike që do të flasë në vite për lavdinë e Shqipërisë”, shprehet ai, duke u bërë thirrje autoriteteve dhe biznesmenëve të Vlorës të kontribuojnë për kthimin e saj në muze./K.C/dritare.net