Rama nga New York: Joe Biden e tradhtoi Hashim Thaçin!
Dritare.net

Edi Rama ka drejtuar akuza të forta ndaj ish-presidentit amerikan Joe Biden për mënyrën se si SHBA-ja veproi në raport me Hashim Thaçin dhe procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Duke folur në New York, kryeministri deklaroi se Biden “e tradhtoi” Thaçin dhe se Shtetet e Bashkuara mund dhe duhej të kishin bërë më shumë për të mos lejuar, siç e cilësoi ai, nisjen e kësaj “farse”. Rama kujtoi se Biden dikur e kishte quajtur Thaçin “Xhorxh Uashingtoni i Kosovës”, ndërsa vlerësoi përpjekjet personale të gjeneralit Wesley Clark në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës.
“Më lejoni të them disa fjalë pa mbajtur një fjalë tjetër të gjatë. Dua së pari të falënderoj Ilirin dhe Martinin për këtë ftesë bujare. I kërkoj ndjesë gjithëkujt që ndoshta do ndihet disa i shpërfillur, por mund të them se gjëja më e mirë që mund të më ndodhte sot, është të isha ulur krah kumbarit të komunitetit shqiptar, zotit Sal Rusi. Meqë ra fjala për Sal Rusin dhe familjen e tij, më bën të vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar në strehën e tij, ai është në strehën e tij. Ai është Hashim Thaçi, ai nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden që e emërtoi Xhorxh Uashingtonin e Kosovës, e tradhtoi. Edhe pse Gjenerali Klark dhe disa njerëz bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin. Kur them tradhtuar, është sepse ne si vend i vogël ndihemi miq me SHBA-të, më të mëdhenjtë e më të fortët. Mund të ishte bërë më shumë, duke mos lejuar që kjo farsë të niste. Gjeneral, ju jam mirënjohës për gjithçka keni bërë në kapacitetin tuaj personal”, tha Rama./dritare.net