Zuckerberg zbulon orën që nuk e heq nga dora. E ka krijuar shqiptari Rexhep Rexhepi
Dritare.net

Themeluesi i Meta-s, Mark Zuckerberg, ka treguar se ora që mban në dorë është krijim i orëndreqësit shqiptar nga Kosova, Rexhep Rexhepi.

Sipas mediave, Zuckerberg e zbuloi këtë gjatë një rubrike me pyetje të shpejta para konferencës vjetore të Meta-s. Kur e pyetën për orën, ai u përgjigj se ishte një Chronomètre Contemporain I e Rexhepit dhe e cilësoi "fantastike"
Kjo nuk është hera e parë që Zuckerberg shfaqet me këtë orë. Në mars të këtij viti, ai u pa me një Chronomètre Contemporain në flori të kuq me fushë të zezë smalti gjatë një ndeshjeje UFC. Portali Luxurylaunches e vlerësoi atë orë afër 1 milion dollarëve.
Chronomètre Contemporain I u prezantua në vitin 2018 dhe po atë vit fitoi çmimin për orët e burrave në Grand Prix d'Horlogerie de Genève (GPHG), një nga vlerësimet më prestigjioze në botën e orëve. Janë prodhuar vetëm 50 copë: 25 në flori rozë dhe 25 në platin. Sipas Revolution Watch, në vitin 2023 një prej tyre u shit në ankand për rreth 924 mijë dollarë. Ora punon me mekanizmin RR-01, që kurdiset me dorë dhe ka rezervë energjie 100 orë.
Rexhep Rexhepi ka lindur në Kosovë dhe është vendosur në Zvicër, ku e mësoi zanatin te Patek Philippe. Më vonë themeloi në Gjenevë markën e tij, Akrivia. Sot orët e tij prodhohen në numër shumë të kufizuar dhe janë ndër më të kërkuarat nga koleksionistët në botë.