Na ndiqni edhe në

Bota

Trump pret Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë: Në tryezë tregtia, siguria dhe inteligjenca artificiale


Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë homologun kinez Xi Jinping, në një takim të nivelit të lartë mes dy fuqive më të mëdha ekonomike të botës. Trump deklaroi se SHBA-ja dhe Kina kanë bërë “hapa të jashtëzakonshëm” në çështjet që prekin marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa Xi bëri thirrje për vazhdimin e dialogut.

Vizita shtetërore e presidentit kinez në SHBA zhvillohet nga data 23 deri më 25 shtator. Xi mbërriti në Uashington të mërkurën, ndërsa sot është pritur zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë. Sipas programit zyrtar, vizita përfshin takimet mes dy presidentëve dhe një darkë shtetërore në mbrëmje, ku do të marrin pjesë delegacionet zyrtare, drejtues biznesesh dhe zyrtarë qeveritarë.

Në nisje të bisedimeve, Trump tha se dy vendet kanë bërë përparim të konsiderueshëm në çështjet që i ndajnë. Sipas presidentit amerikan, diskutimet me Xi do të përqendrohen mes të tjerash te siguria, teknologjia dhe ajo që Trump e quan “super intelligence”, duke iu referuar inteligjencës artificiale.

Pak përpara takimit, Trump përsëriti qëndrimin e tij kundër shtimit të rregullave për inteligjencën artificiale. AI është shndërruar në një prej fushave kryesore të konkurrencës teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës. Përpara samitit, përfaqësuesit e dy vendeve kishin zhvilluar bisedime për inteligjencën artificiale, mineralet e rralla dhe tregtinë, përfshirë mundësinë e zgjatjes së armëpushimit tarifor mes dy ekonomive.

Nga ana tjetër, Xi Jinping bëri thirrje për “dialog të vazhdueshëm” mes Pekinit dhe Uashingtonit. Presidenti kinez shprehu gjithashtu shpresën që kompanitë kineze të trajtohen në mënyrë të drejtë në tregun amerikan.

Tregtia pritet të jetë një nga pikat kryesore të negociatave. Para vizitës së Xi, palët kanë diskutuar edhe mundësinë e uljes së disa tarifave. Një prej çështjeve konkrete është tarifa kineze prej 15% ndaj gazit natyror të lëngshëm amerikan, ndërsa në diskutim kanë qenë marrëveshje më të gjera në energji dhe bujqësi.

Takimi zhvillohet ndërsa Uashingtoni dhe Pekini vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje të rëndësishme për tregtinë, teknologjinë, mineralet e rralla dhe Tajvanin. Analistët e cituar nga Reuters përpara samitit nuk prisnin që vizita t'i zgjidhte të gjitha këto çështje, por e shihnin ruajtjen e dialogut dhe të armëpushimit tregtar si një objektiv të rëndësishëm për të dyja palët.

Vizita e Xi në Uashington është takimi i dytë reciprok mes dy presidentëve brenda gjashtë muajve. Ministria e Jashtme kineze ka deklaruar se Pekini synon të përdorë vizitën për të zgjeruar dialogun, për të menaxhuar mosmarrëveshjet dhe për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve.

Mbrëmjen e sotme, Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump do të shtrojnë një darkë shtetërore për Xi Jinping dhe bashkëshorten e tij, Peng Liyuan, në Shtëpinë e Bardhë. Në të do të marrin pjesë edhe drejtues biznesesh dhe përfaqësues të qeverive të dy vendeve./dritare.net