Kryeministri Rama komandon drejtuesin e ri të SHISH
Dritare.net

Elvis Lila, drejtor i Departamentit Operativ në Shërbimin Informativ të Shtetit, ka marrë përkohësisht kompetencat administrative të drejtuesit të SHISH-it, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit.
Vendimi është marrë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe ka hyrë menjëherë në fuqi, ndërsa është botuar edhe në Fletoren Zyrtare.
“Z. Elvis Lila, drejtor i Departamentit Operativ, t’i delegohen përkohësisht kompetencat administrative të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, përcaktohet në urdhër.
Delegimi do të jetë i përkohshëm dhe do të përfundojë në momentin kur të emërohet drejtori i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit. Deri atëherë, Lila do të kujdeset për vijimin e administrimit të institucionit.
Urdhri përcakton në mënyrë specifike se Lilës i delegohen kompetencat administrative të drejtorit të SHISH-it. Kjo do të thotë se ai nuk është emëruar drejtor i ri i institucionit, por është ngarkuar përkohësisht me drejtimin administrativ deri në zgjedhjen e titullarit të ri.
Elvis Lila mban aktualisht detyrën e drejtorit të Departamentit Operativ në SHISH. Delegimi i kompetencave të tij vjen pas shkarkimit të Vlora Hysenit, ndaj së cilës GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka caktuar masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Hyseni është nën hetim dhe dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”./dritare.net