Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

GJKKO urdhëron fillimin e hetimeve në Rrjoll!

91418_rrjoll-ok-2_s.jpg

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar ankimin e banorëve të Baks-Rrjollit dhe ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal dhe nisjen e hetimeve lidhur me kallëzimin e tyre.


Banorët, përmes përfaqësueses së tyre Luçiana Koka, kishin kundërshtuar vendimin e SPAK për mosfillimin e hetimeve mbi pretendimet e ngritura në kallëzimin penal, që lidhen me projektin “Baks Bay”.

Pas vendimit të GJKKO-së, avokati Ndue Pjetra tha se përfaqësuesit e banorëve e përshëndesin vendimin e gjykatës, duke bërë të ditur se hetimi do të përfshijë disa çështje të ngritura në kallëzim.

Avokatët antikorrupsion dhe përfaqësuesit e banorëve të Baks-Rrjollit përshëndesin GJKKO-në për vendimin e sotshëm që mori. Pra fillimin e hetimeve, regjistrimin e procedimit penal për sa i përket taksës së infrastrukturës, lejes së ndërtimit, si është dhënë, mënyra se si e kanë marrë, gjithashtu edhe dëgjesa publike e cila është falsifikuar nga Bashkim Ulaj, Fatmir Shpellza etj”, tha Pjetra.

Banorët kanë ngritur pretendime për parregullsi në dokumentacionin e pronësisë dhe në procedurat e ndjekura për projektin “Baks Bay”, duke pretenduar se territori ku po zhvillohet projekti është përfituar në mënyrë të paligjshme.

Në kallëzimin penal janë ngritur gjithashtu pretendime për falsifikim dokumentesh ndaj Fatmir Shpellzës, ndërsa ndaj kompanisë “Gener 2” janë paraqitur pretendime për ndërtim të paligjshëm.

Me vendimin e saj, GJKKO ka urdhëruar SPAK të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetime mbi pretendimet e paraqitura nga banorët.