Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga Koçi Xoxe e Gazidede te Vlora Hyseni. Historia e shërbimit sekret shqiptar

Editorial nga DritareTV

Historia e shërbimit sekret shqiptar nis me një shkrimtar dhe mbërrin, më shumë se një shekull më vonë, te mesazhet banale të një drejtoreshe me një biznesmen nën hetim.

Në vitin 1923, Ahmet Zogu caktoi në krye të Sekretarisë Sekrete Haki Stërmillin, shkrimtarin që shqiptarët do ta njihnin më vonë si autorin e romanit “Sikur t’isha djalë”. Stërmilli konsiderohet drejtuesi i parë zyrtar i shërbimit sekret shqiptar.

Ishte një kohë kur shteti shqiptar sapo kishte filluar të ndërtonte institucionet e tij. Shërbimi sekret duhej të mblidhte informacion për kërcënimet ndaj vendit dhe për veprimtarinë e shteteve fqinje në territoret shqiptare. Njeriu i parë që e drejtoi nuk ishte një figurë e dalë nga errësira, por një intelektual, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve.

Koçi Xoxe u bë drejtuesi i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, pararendëses së Sigurimit të Shtetit. Pas tij, Nesti Kerenxhi do të emërohej drejtori i parë formal i Sigurimit. Institucioni që duhej të mbronte shtetin u shndërrua në armën që mbronte pushtetin nga qytetarët e vet.

Në kujtesën e shqiptarëve, emri “Sigurimi” mbeti i lidhur jo vetem me sigurinë kombëtare, por me frikën që trokiste natën në derë.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria kishte mundësinë ta shkëpuste këtë institucion nga e kaluara. Në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar. Drejtori i parë i tij ishte Irakli Koçollari, por njeriu që do t’i jepte SHIK-ut emrin e tij më famëkeq ishte Bashkim Gazidede.

Nën drejtimin e Gazidedes, nga viti 1992 deri në pranverën e vitit 1997, SHIK-u u perceptua si një polici politike në shërbim të pushtetit të Sali Berishës duke e kthyer ne një nga simbolet e errëta të tranzicionit shqiptar.

Nëse Koçi Xoxe e kishte kthyer shërbimin sekret në instrument terrori, Gazidede e riktheu atë në jetën pluraliste si instrument frike politike. Emri SHIK u bë aq i rëndë, sa më vonë institucioni ndryshoi edhe emërtimin, duke u quajtur Shërbimi Informativ i Shtetit – SHISH.

Gjatë viteve që pasuan, drejtues si Fatos Klosi, Kujtim Hysenaj, Bahri Shaqiri, Visho Ajazi Lika dhe Helidon Bendo u përpoqën ta largonin institucionin nga hija e Sigurimit dhe e SHIK-ut të Gazidedes. SHISH-i u bë më pak i dukshëm, më i lidhur me partnerët perëndimorë dhe, të paktën publikisht, më profesional.

Pastaj erdhi Vlora Hyseni.

Emërimi i saj në vitin 2023 u paraqit si shenjë modernizimi. Për herë të parë Shqipëria kishte një grua në krye të shërbimit sekret. Ajo vinte nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe u prezantua si profesioniste me përvojë.

Por fundi i saj në krye të SHISH-it banalizoi një nga institucionet më të ndjeshme të vendit. Ate qe dikur te fuste friken vetem nje grua si Vlora mund ta kthente ne qesharak.

Mesazhet e publikuara, komunikimi me Ergys Agasin dhe info qe dolën nga zyra e drejtoreshës drejt një personi pa asnjë funksion shtetëror, e zhveshën SHISH-in nga serioziteti.

Koçi Xoxe e bëri Sigurimin të frikshëm. Bashkim Gazidede e bëri SHIK-un famëkeq. Vlora Hyseni e bëri SHISH-in banal.

Nga Haki Stërmilli, një shkrimtar në krye të shërbimit të një shteti të sapolindur, te Vlora Hyseni, një drejtoreshë e rrëzuar nga dyshimet për nxjerrjen e sekreteve shtetërore, historia ka bërë një rreth të gjatë.

Ndërsa dikur ky shërbim të bënte të qaje, tani të bën të qeshësh. Dhe kjo është goxha arritje. Nuk kishte mënyrë më të mirë sesa të vinte Vlorën në krye të shërbimit për t’u hakmarrë dhe për të harruar një herë e përgjithmonë stigmën e tij./ dritare.net