Nga Tokio në Londër, Elton Ilirjani pushton pasarelat ndërkombëtare
Dritare.net

Pas Tokios, Seulit dhe Nju Jorkut, Elton Ilirjani vijon turin e tij ndërkombëtar të modës. Ndalesa e radhës ishte London Fashion Week, ku u ngjit në pasarelë në tri prezantime të ndryshme.

Një nga momentet më të veçanta ishte sfilata e Poet-Lab, e zhvilluar në një hapësirë industriale në East London. Mes arkitekturës urbane, teknologjisë dhe trenave që kalonin mbi skenë, Eltoni pati dy dalje mbresëlënëse. Ai mbylli sfilatën me një veshje spektakolare në ngjyrë argjendi.

Në të njëjtën pasarelë u shfaq edhe Mimoza Ahmeti, këtë herë në rolin e modeles, duke sjellë një element tjetër surprizues në një prej eventeve më të veçanta të Javës së Modës në Londër.

Eltoni pati gjithashtu dy dalje në Global Fashion Collective: për një stilist francez dhe për një stiliste italiane nga Puglia, e cila i krijon veshjet e saj tërësisht me dorë.

Tri sfilata, stilistë nga vende të ndryshme dhe një tjetër ndalesë e rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Elton Ilirjani vazhdon të jetë aty ku moda eksperimenton, thyen kufijtë dhe paralajmëron trendin e radhës./dritare.net