AGSH dënon deklaratat ndaj gazetares Klodiana Lala: Shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen
Dritare.net

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar lidhur me deklaratat dhe akuzat e bëra nga ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala.
Në një reagim publik, AGSH dënon atë që e konsideron “shantazh dhe sulme” ndaj gazetares, duke theksuar se çdo person që është nën hetim nga drejtësia duhet të japë llogari përpara institucioneve përkatëse.
“Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë, ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen”, shprehet AGSH.
Asociacioni i bën thirrje Vlorës Hyseni që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj, ndërsa kërkon nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që ta trajtojë me seriozitet episodin e pretenduar të shantazhit ndaj gazetares.
AGSH thekson se gazetarët duhet të jenë të lirë të ushtrojnë profesionin e tyre pa kërcënime apo presione dhe se çdo pretendim për shkelje duhet të trajtohet përmes institucioneve kompetente.
