Vlora Hyseni u la në arrest shtëpie/ GJKKO del me njoftimin zyrtar
Dritare.net

Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, do të vijojë të qëndrojë në “Arrest shtëpie”. Gjykata e Posaçme vendosi këtë të enjte të lërë në fuqi masën e sigurisë ndaj saj, pas seancës që u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati më shumë se dy orë.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 23.09.2026 ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën për marrjen në pyetje të personit nën hetim Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 69, datë 24.09.2026 vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Vlora Hyseni.
Gjithashtu, gjykata, bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale ka vendosur ndalimin e publikimit tërësisht apo pjesërisht të këtij vendimi gjyqësor deri në përfundim të hetimeve paraprake.
Tiranë, më datë 24.09.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar./dritare.net