Rama: Llogaria e hapur me drejtësinë është çështje personale
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka komentuar arrestin e ish-drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, dhe hetimin e saj nga SPAK, duke e cilësuar çështjen si një marrëdhënie individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë.
Rama tha se institucionet e drejtësisë kanë detyrën të hetojnë dhe gjykojnë, ndërsa mediat duhet të informojnë publikun, por theksoi se askush nuk duhet të shpallet fajtor përpara përfundimit të procesit gjyqësor.
“Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë, gjykata të gjykojë, media të zbulojë dhe informojë, por askush s’ka të drejtë ta shpallë tjetrin fajtor dhe ta dehumanizojë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të të drejtave të personave që janë nën hetim.
“Shteti ligjor ndërtohet me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe sigurinë për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton”, tha ai.
Rama e cilësoi situatën e ish-drejtores së SHISH si një çështje individuale dhe deklaroi se nuk kishte më tej për të shtuar.
“Për sa më takon, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së SHISH, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar”, përfundoi kryeministri./L.F-dritare.net