Rama për SHISH: “Mbrojtja e institucionit është detyrë e shtetit”, nesër mblidhet Këshilli i Sigurisë
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Rinasi lidhur me masën e arrestit ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke theksuar se hetimi dhe gjykimi i saj janë përgjegjësi ekskluzive e drejtësisë, ndërsa mbrojtja e institucioneve është detyrë e shtetit.
Rama tha se çështja do të jetë në fokus të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila do të zhvillohet nesër në orën 08:30.
“Nuk është hera e parë në historinë e botës që shefi i një shërbimi sekret merret i pandehur, por e para që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar thashethemesh mediatike për shkak të mosmarrjes së atyre masave që shtetet marrin”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, procesi ndaj Hysenit duhet të vijojë në rrugën e drejtësisë, ndërsa institucionet duhet të mbrohen nga pasojat që mund të shkaktohen gjatë një procesi të tillë.
“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Mbrojtja e SHISH dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e gjithë shtetit”, tha ai.
Rama u ndal edhe te publikimi i të dhënave nga dosja hetimore, duke argumentuar se SHISH është ekspozuar ndaj një dëmi që, sipas tij, mund dhe duhej të ishte parandaluar.
“Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht. Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre”, deklaroi kryeministri.
Rama theksoi se respektimi i pavarësisë së drejtësisë nuk përjashton, sipas tij, përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për të mbrojtur institucionet e sigurisë.
“Besoj se Këshilli i Sigurisë i thirrur nesër është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale”, përfundoi Rama.