Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama takohet me shqiptarët në Nju-Jork: Shqipëria nuk është më vendi që kërkon ndihma!

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me shqiptarët në Staten Island të Nju Jorkut, u ndal te marrëdhënia e Shqipërisë me Diasporën, duke deklaruar se ajo ka hyrë në një fazë të re. Sipas tij, nga një raport i mbështetur kryesisht te ndihma financiare që emigrantët u dërgonin familjeve të tyre, sot lidhja me Diasporën po shtrihet gjithnjë e më shumë te investimet, interesat e përbashkëta dhe rikthimi i shqiptarëve në vend.
Në fjalën e tij, Rama foli gjithashtu për zhvillimin e turizmit dhe projektet e mëdha të investimeve, duke veçuar Sazanin dhe Zvërnecin. Kryeministri tha se vetëm projekti i Zvërnecit parashikon një investim prej më shumë se 4 miliardë eurosh, ndërsa theksoi se po studiohen me kujdes edhe risqet që një zhvillim i tillë mund të sjellë për mjedisin.

“Pavarësisht se jemi në SHBA, ky është një territor jo i pushtuar zyrtarisht nga shqiptarët. Në vitin 2015 unë isha në një darkë shqiptarësh i ftuar, sëbashku me Hashim Thaçin dhe në atë darkë u diskutua për herë të parë ideja e atij që një vit më pas u bë Samiti i parë i Diasporës në Tiranë. 10 vite prej atij Samiti, besoj se kanë ndodhur plotë gjëra pozitive dhe lidhja e Shqipërisë me Diasporën është kthyer në një lidhje ku janë ngritur ura që kalojnë interesa, investime dhe plotë rikthime shqiptarësh në tokën ëmë. 90 % e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën njëherë nga dërgesat financiare të shqiptarëve të Diasporës. Ky është një nder i madh që do ta mbulojë me lavdi diasporën shqiptare të gjithë këtyre viteve. Por siç e thashë, nuk jemi më në atë fazë, kur diaspora jepte e Shqipëria merrte, por jemi në një tjetër fazë.
Kemi nisur të krijojmë një regjistër kombëtar të Diasporës, për të gjitha ata që duan të investojnë sadopak në Shqipëri. Ky ndryshim që ka ndodhur në këtë marrëdhënie, s’ka ndodhur thjeshtë aty ku ta rrok syri, por ka ndodhur në mendësi. Tani jeta është shumë më organike dhe pjesë e atij organiciteti ishin edhe vezët që m’u hodhën mua. Madje, një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë. Shpresoj të ketë kaluar mirë me Policinë e Nju Jork. Në trupën e mbrojtjes pastaj që u angazhua në çdo event, ishte një shqiptar që shërben në Policinë e Nju Jork. Prandaj unë u ndodha komplet në shtëpi, edhe Policia, edhe protestuesit. Këtu u prita me një tortë rozë, që kishte 2 flamingo si një zemër. Më erdhi mirë. Shqipëria nuk vuan më tani faktin që zogjtë e kafshët vriten dhe askush nuk shqetësohet për to. Shqipëria e sotme nuk është më Shqipëria në nevojë për ndihma. Sot Shqipëria ka hëpur një derë të re, derën e maleve të saj”, tha mes të tjerash Rama.

Duke i cilësuar si të jashtëzakonshëm investimet që pritet të realizohen në Sazan dhe Zvërnec, Rama tha se po kryhet studim për të vlerësuar risqet që projektet do të sjellin në mjedis.

“Projekti i Sazanit dhe Zvërnecit, një projekt që sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro, në një ekonomi që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit për mjedisin, prandaj ne po punojmë shumë për të pasur një studim për ndikimin dhe risqet në mjedis. Risqet reale dhe jo ato që prodhohen në rrjetet sociale nga sharlatanët e manipulatorët”, shtoi Rama./K.C/dritare.net