Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rrëfehet Adelina Ismaili. Nga kërcënimet dhe sulmet fizike te Shqipëria që e shpëtoi!

Adelina Ismaili, një prej emrave që ka shënjuar skenën shqiptare për dekada, ka ardhur me një rrëfim ndryshe, larg vetëm muzikës dhe karrierës. Në një bisedë të hapur në podkastin “Pa komplekse”, nga Elion Kollçaku në bashkëpunim me DritareTV, diva e muzikës shqiptare ka folur për feminizmin, përplasjen e saj me mentalitetin e kohës, kërcënimet që thotë se ka marrë për qëndrimet publike, familjen, raportin me Shqipërinë dhe jetën pas 40 vitesh në skenë.

Ismaili kujtoi periudhën kur fliste publikisht për të drejtat dhe lirinë e grave, në një kohë kur deklarata të tilla përballeshin me një realitet shumë më konservator. Por edhe pas kaq shumë vitesh, ajo thotë se raporti i saj me një pjesë të shoqërisë nuk ka ndryshuar aq sa mund të mendohet.

“Unë nuk kuptohem as sot, të jem e sinqertë. Kam keqkuptime shumë të mëdha me kosovarët e mi, me pjesën mashkullore të kosovarëve, edhe sot e kësaj dite”, shprehet Adelina.

Sipas saj, të fliste hapur për feminizmin nuk ishte vetëm një zgjedhje artistike apo publike, por diçka që në momente të caktuara i kushtoi shumë. Ismaili rrëfen se është përballur jo vetëm me kritika, por edhe me kërcënime, mallkime, të shara e deri në sulme fizike.

“Ka rezultuar e rrezikshme për mua. Ju nuk mund ta besoni se sa larg janë njerëzit në gjendje të shkojnë. Po flas për kërcënime, po flas për mallkime, po flas për të shara deri te sulmet fizike”, tregon ajo.

Adelina vijon të mbrojë bindjen se liria e gruas është një nga themelet e zhvillimit të shoqërisë. Madje, në një prej deklaratave më të forta të intervistës, këngëtarja shprehet se bota do të ishte ndryshe nëse gratë do të kishin më shumë pushtet.

“Sikur gratë ta udhëheqnin botën, nuk do të kishim kurrë luftra. Kjo tingëllon si shaka, por unë besoj që është e vërtetë. Besoj që shpëtimi i botës do të vinte nga matriarkati”, thotë Ismaili.

Një tjetër moment i fortë i rrëfimit është raporti i saj me Shqipërinë. Pas katër dekadash karrierë, Adelina pranon se pikërisht Shqipëria ka pasur një rol të veçantë në rrugëtimin e saj profesional. Ajo thotë se këtu është përqafuar si artiste më shumë sesa në Kosovë.

“Të jemi të sinqertë, atje jam përqafuar si artiste shumë më shumë sesa në Kosovë. Gjithmonë them që Shqipëria më ka shpëtuar artistikisht, profesionalisht. E them këtë sepse është e vërtetë”, shprehet këngëtarja.

Ismaili ndalet edhe te imazhi që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës. Performancat e saj, veçanërisht në fillimet e rrugëtimit artistik, shpesh u konsideruan provokuese. Sot ajo këmbëngul se pas tyre nuk qëndronte dëshira për të banalizuar skenën, por një mesazh i menduar.

“Unë nuk kam qenë banale kurrë. Pa thellësinë e mendimit, pa thellësinë e veprimit, unë as nuk ia kam mësyrë skenës. Çdo detaj ka qenë i planifikuar dhe i menduar në funksion të një kauze”, thotë ajo.

Pikërisht këtu Adelina bëhet kritike edhe ndaj një pjese të artit të sotëm. Për të, një artist nuk mund të jetë thjesht një person që performon, por duhet të ketë identitet, karakter dhe diçka për të thënë. “Nëse nuk ka shpirt në atë që e bën, të lutem lëre, se dëmton”, shprehet Ismaili, duke theksuar se arti pa kauzë dhe pa qëndrime humbet thelbin e tij.

Në rrëfimin e saj nuk mungon as nëna, Mona, një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e Adelinës. Këngëtarja pranon pa hezitim se pa të nuk do të ishte personazhi që publiku njeh sot. Mona, sipas saj, arriti të ndërthurte rolin e nënës me atë të menaxheres, duke u bërë një nga shtyllat e rrugëtimit të saj profesional.

“Ajo i ka ndërthurur aq bukur rolin e saj si nënë dhe profesionin e saj si menaxhere e imja, saqë nuk di ta ketë bërë dikush në botë si ajo”, rrëfen Adelina.

Ndërsa për bashkëshortin, Valin, Ismaili përdor një përkufizim të drejtpërdrejtë: “dashuria e jetës time”. Ajo tregon se këtë vit bëjnë 18 vite bashkë dhe vlerëson mbi të gjitha qëndrueshmërinë e tij, si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale.

Pas 40 vitesh karrierë, Adelina Ismaili nuk e sheh rrugëtimin e saj si diçka që po shkon drejt fundit. Përkundrazi, filozofia e saj mbetet e njëjtë: fundet janë vetëm fillime të reja.

Dhe ndoshta pikërisht kjo shpjegon edhe Adelinën e sotme: një artiste që, pas katër dekadash në skenë, vazhdon të flasë me të njëjtën gjuhë të drejtpërdrejtë për lirinë, gratë, artin, familjen dhe shoqërinë, edhe kur qëndrimet e saj vazhdojnë të shkaktojnë debat./dritare.net