Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Protestat në Tiranë/ Rama nga OKB-ja: U fabrikua narrativa për “pushtimin izraelit” të bregdetit shqiptar

Gjatë fjalimit para Asamblesë së OKB-së, kryeministri Edi Rama ka marrë si shembull protestat e zhvilluara në Tiranë për të paralajmëruar mbi mënyrën se si, sipas tij, informacionet e fabrikuara dhe Inteligjenca Artificiale mund të ndikojnë te qytetarët dhe të nxisin reagime reale. Rama iu referua asaj që e quajti “revolucioni i flamingove”, duke thënë se në rrjetet sociale u përhap një narrativë e rreme për një “pushtim izraelit” të bregdetit shqiptar. Sipas tij, qytetarët që i besuan këto pretendime përfunduan duke protestuar kundër një “fantazme”, ndërsa frika e krijuar në rrjet u shndërrua në zemërim dhe më pas në mobilizim.

“Jam i bindur se ju e keni ndjekur revolucionin e flamingove, një narrativë e fabrikuar për pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar, një pushtim që s’ka ndodhur kurrë, por kjo u fabrikua dhe u përcoll përmes zërave, faqeve dhe kanaleve. Qytetarët i kanë besuar tashmë. Qytetari mori një histori të tradhtisë kombëtare, një tjetër të provokimit fetar, një tjetër për një pushtim të jashtëm. Fabrikime të ndryshme u futën në botë të ndryshme emocionale dhe të gjitha i shërbenin gënjeshtrës strategjike. Pasojat ishin reale. Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme tashmë. Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet.

Nuk ishte eksperiment, nuk po ju flas për film. Ishte një e martë në Tiranë. Algoritmi nuk shpiku objektivin, këtë e bëri një aktor njerëzor. Ky është mashtrim sistematik. Ndërhyrja në zgjedhje nuk kërkon më që një TV publik apo një propagandë t’i drejtohet një popullate të tërë. Tashmë mund të ndikojë te vullneti i çdo votuesi”, tha Rama./K.C/dritare.net