Na ndiqni edhe në

Shqip

Oligarkë dhe monopole. Pse duhet një SPAK për tregun! Flet ekonomisti nga SHBA

Ekonomisti shqiptar Keler Marku, i cili punon në SHBA me çështje të konkurrencës, antitrustit dhe abuzimit me tregun, thotë se Shqipëria ka një ekonomi të qëndrueshme, por zhvillimi i viteve të fundit ka krijuar pabarazi që kërkojnë më shumë vëmendje dhe mekanizma më të fortë për mbrojtjen e konsumatorëve.

Në një intervistë për emisionin “Shqip nga Rudina Xhunga" në DritareTV, Marku argumentoi se debati ekonomik në Shqipëri shpesh reduktohet te korrupsioni, droga, oligarkët apo lidhjet me qeverinë, ndërkohë që sipas tij duhet analizuar konkretisht se çfarë ndodh në secilin treg.

“Pa analizuar një treg, pa parë si është përqendrimi në atë treg, çfarë lloj kontratash ka, si është sjellja e konsumatorëve dhe e prodhuesve, nuk del dot në përgjithësime të tilla”, tha Marku, duke shtuar se do ta habiste nëse në Shqipëri nuk do të kishte tregje të konsoliduara apo raste abuzimi.

Sipas tij, problemi është se konsumatori shqiptar ka pak mundësi praktike për t’u përballur me një kompani të fuqishme kur mendon se i është shkelur një e drejtë. Duke marrë shembullin e SHBA-së, Marku foli për paditë kolektive, përmes të cilave konsumatorët mund të bashkohen dhe të përfaqësohen në gjykatë pa qenë secili i detyruar të përballojë individualisht kostot e një procesi.

Pikërisht në këtë kontekst ai hodhi idenë e krijimit të një mekanizmi që e përkufizoi si një lloj “SPAK-u për tregun”. Ashtu si reforma në drejtësi krijoi struktura të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar, Marku argumenton se nevojitet një sistem më funksional edhe për abuzimet ekonomike, konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit.

“Duhet edhe një farë sistemi për ekonominë e tregut, sepse pjesa më e madhe e jetës aty është. Aty ndodhin ose abuzimet, ose ato që keqkuptohen si abuzime”, u shpreh ekonomisti.

Një tjetër pikë e fortë e intervistës ishte pabarazia e krijuar nga modeli i zhvillimit. Marku tha se politikat e ndjekura kanë qenë përgjithësisht të orientuara drejt biznesit dhe zhvillimit, duke u dhënë më shumë mundësi atyre që kishin kapital apo mundësi për të investuar. Tani, sipas tij, mund të ketë ardhur momenti për më shumë rishpërndarje dhe drejtësi ekonomike.

Duke folur për ekonominë shqiptare në tërësi, Marku kundërshtoi idenë se Shqipëria nuk prodhon asgjë vetëm sepse nuk ka një industri të madhe prodhuese. Ai solli në vëmendje turizmin dhe shërbimet, duke theksuar se edhe shërbimet mund të eksportohen dhe të gjenerojnë të ardhura për ekonominë.

I pyetur nëse qëndrueshmëria ekonomike e Shqipërisë ekziston realisht apo vetëm në shifra, ekonomisti u përgjigj se, bazuar në mënyrën profesionale të leximit të treguesve, vendi ka një ekonomi të qëndrueshme.

“Për mendimin tim, po”, tha Marku, ndërsa argumentoi se turizmi nuk i duket një sektor pa perspektivë afatgjatë. Sipas tij, orientimi drejt turizmit është një zgjedhje e kuptueshme për Shqipërinë, nisur edhe nga avantazhet konkurruese që ka vendi.

Megjithatë, ai theksoi se zhvillimi sjell edhe pasoja që duhen menaxhuar, nga rritja e çmimeve deri te pabarazitë dhe vështirësitë e të rinjve për të përballuar kostot e jetesës. Për Markun, pikërisht këtu duhet të zhvendoset debati: jo vetëm te pyetja se kush është fajtor, por te krijimi i mekanizmave që u japin qytetarëve mundësi reale për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e tyre./dritare.net