Rama-socialistëve: BE nuk është beteja e PS për pushtetin, por e Shqipërisë për vendin që i takon
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar në rrugën drejt Bashkimit Europian. Duke iu drejtuar socialistëve, Rama tha se vendi nuk mund të humbasë kohë në “udhëkryqin e fundit” drejt Europës, duke e cilësuar integrimin si një betejë kombëtare dhe jo politike të një partie.
“Shqipëria nuk është sot ende një vend në një rrugë të zakonshme që mund të ecë, mund të ndalojë, të ndërrojë qeverinë, të vazhdojë pastaj aty ku e la, sikur koha të mos kishte çmimin që ka sot. Demokracitë e vjetra janë vende ku kjo mund të ndodhë, sepse ata e kanë të ngritur shtetin “dem baba dem”. E kanë administratën me shekuj të kolauduar, dhe kur ecin në rrugën e shtruar të shtetit të së drejtës ndërrojnë shoferin edhe 7 herë në 10 vite, si Britania për shembull, por nuk kthejnë shtetin nga rruga. Shqipëria sot është në udhëkryqin e fundit që e lidh me rrugën për në shtëpinë e madhe të Europës. Për herë të parë dera e hapur e asaj shtëpie shihet me sy në kalendar. Ajo shtëpi nuk është një dritë që herë zhduket nga mjegulla, nëpër shtigjet e rrugës, është mu aty përpara, njësoj si dyert e kësaj godine, por nga ana tjetër dihet botërisht që ajo nuk është një derë e që rri e hapur në pafundësi. Pikërisht tani përpara derës së hapur Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të vijë vërdallë rreth udhëkryqit të fundit. Le ta themi qartë, që të mos keqkuptohet nga askush, kjo nuk është beteja e PS për të mbetur në pushtet, por beteja e Shqipërisë për të qëndruar në vendin që i takon, në sofrën e BE”, tha Rama.