Teoritë e konspiracionit për COVID-19 janë çmenduri edhe kur i thonë mjekët
Dritare.net

Dr. Skënder Brataj*
Gjatë periudhës Pandemia COVID-19 ishte sfida më e madhe shëndetësore e shekullit tonë. Në ato vite, mijëra shkencëtarë në mbarë botën punuan në laboratorë, spitale dhe universitete për të kuptuar virusin, për të zhvilluar teste diagnostike, trajtime dhe vaksina.
Shkenca nuk u ndërtua mbi deklarata televizive, por mbi miliona orë kërkimi, mijëra studime dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Pikërisht për këtë arsye, kur dëgjojmë deklarata të tilla si:
"Të gjithë shkencëtarët që mësuan të vërtetën për COVID-19 u eliminuan." Kjo është një akuzë jashtëzakonisht e rëndë.
Ku është email-i për të cilin flitet?
Ku janë 22 marrësit, adresat, data, përmbajtja e tyre?
Ku janë publikimet shkencore që përmbanin këtë “të vërtetë”?
Ku janë raportet e autopsisë që tregojnë vrasje?
Ku është hetimi penal që provon se shkencëtarët janë “eliminuar”?
Pa këto prova, nuk kemi të bëjmë me shkencë dhe as me dëshmi. Kemi një histori konspirative të ndërtuar duke lidhur artificialisht vdekjen e njerëzve me pandeminë dhe vaksinat.
Shkenca nuk thotë se vaksinat janë pa efekte anësore. Efektet e tyre të padëshiruara janë studiuar, raportuar dhe përditësuar publikisht nga autoritetet rregullatore. Pikërisht kjo quhet farmakovigjilencë. Por njohja e efekteve anësore reale nuk autorizon askënd të shpikë ekzekutime, helmime apo komplote pa prova.
Një mjek, veçanërisht kur flet publikisht, ka përgjegjësinë të dallojë faktin nga dyshimi dhe provën nga fantazia. Titulli akademik nuk e shndërron një pretendim të paprovuar në të vërtetë shkencore.
Në mjekësi vlejnë provat, jo legjendat.
Në drejtësi vlejnë dokumentet, jo insinuatat.
Në gazetari duhet të vlejë verifikimi, jo sensacionalizmi.
Detyrimi ynë si mjekë është të kërkojmë prova, jo të besojmë deklarata.
Kush janë "shkencëtarët e eliminuar"? Deri më sot nuk ekziston asnjë raport zyrtar, asnjë hetim ndërkombëtar dhe asnjë publikim shkencor që të dokumentojë ekzistencën e një liste shkencëtarësh të vrarë sepse "zbuluan të vërtetën për COVID-19".
Por faktet janë të dokumentuara.
Frank Plummer ishte një nga mikrobiologët më të njohur kanadezë, me kontribute të jashtëzakonshme në HIV/AIDS, Ebola dhe SARS. Ai ndërroi jetë në Nairobi më 4 shkurt 2020. Nekrologjitë shkencore dhe deklaratat e familjes nuk raportojnë asnjë provë për vrasje apo "ekzekutim".
Në shkurt 2020 nuk ekzistonin ende vaksina të autorizuara kundër COVID-19. Autorizimet e para erdhën vetëm në fund të vitit 2020.
Si u vra sepse kishte zbuluar "efektet e vaksinave" kur vaksinat nuk ishin prodhuar akoma?
Po shkencëtarët e tjerë?
Shpesh në rrjetet sociale qarkullojnë lista me emra si:
•Luc Montagnier
•Kary Mullis
•Didier Raoult
•Peter McCullough
•Robert Malone
Por kur kontrollohen pretendimet, rezulton se ato janë përzierje faktesh, interpretimesh dhe teorish konspirative.
Luc Montagnier, fitues i Çmimit Nobel, vdiq në moshën 89-vjeçare. Nuk ekziston asnjë provë që ai u vra për shkak të qëndrimeve të tij mbi COVID-19. Edhe pretendimet se ai "u eliminua" janë verifikuar dhe rezultojnë të pabazuara. Një 89 vjeçar nuk mund të vdesi nga pleqëria?
Didier Raoult është ende gjallë. Kur paska vdekur?
Kary Mullis, shpikësi i PCR-së, vdiq në gusht 2019, disa muaj para se të identifikohej SARS-CoV-2, Covid-19! Megjithatë në rrjetet sociale u ndërtua narrativa se ishte "eliminuar" për të mos kundërshtuar përdorimin e PCR-së gjatë pandemisë. Ishte planifikuar të vdiste përsëri në 2020?
"Kam krijuar një produkt që e bën të padëmshme proteinën Spike protect të prodhuar nga COVID-19 dhe vaksinat."
Së fundmi u publikua deklarata se produkti "Spike Protect" kishte marrë "aprovimin rregullator të Komunitetit Europian" dhe se neutralizon proteinën Spike.
Proteina Spike që prodhohet pas vaksinimit zgjat deri në gjashtë muaj, prandaj thuhej se duhet përsëritur vaksinimi!
Çfarë proteine Spike do kontrollosh mbas 6 vitesh?
Megjithatë dokumenti i publikuar është thjesht një letër bashkëpunimi e një kompanie private spanjolle, ku thuhet se produkti do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin europian për suplementet ushqimore…..çfarë efekti mjekësor ka një suplement????
Deri më 28 korrik 2026, në burimet publike zyrtare europiane nuk ka:
– autorizim të EMA-s për një ilaç të quajtur “Spike Protect”;
– opinion shkencor të EFSA-s që provon se ky produkt “neutralizon” proteinën Spike;
– pretendim shëndetësor të autorizuar nga Komisioni Europian për parandalimin e komplikacioneve të vaksinave ose trajtimin e Long COVID-it;
– vendim publik të AEMPS-it apo AESAN-it spanjoll që të mbështesë këto deklarata;
– publikim të studimeve klinike të randomizuara mbi këtë produkt;
– numër të paraqitur patente që të lejojë verifikimin e shpikësit, formulës dhe pretendimeve të patentës.
EMA publikon dokumentacionin e barnave që autorizohen në Bashkimin Europian. “Spike Protect” nuk shfaqet si bar i autorizuar në këtë regjistër.
Nëse produkti është suplement ushqimor, situata është edhe më e qartë: dalja në treg apo njoftimi pranë një autoriteti kombëtar nuk do të thotë se produkti është provuar klinikisht dhe as se Bashkimi Europian ka miratuar efektin e tij terapeutik. Vetë Komisioni Europian shpjegon se shtetet mund të kërkojnë vetëm njoftimin e vendosjes në treg të një suplementi për qëllime monitorimi.
Një suplement nuk mund të reklamohet lirisht si produkt që parandalon komplikacionet e vaksinave, trajton Long COVID-in ose neutralizon një proteinë patogjene. Pretendimet që mund të mashtrojnë konsumatorin ndalohen në tregun europian.
Prandaj:
1. Cili institucion e ka dhënë “aprovimin europian”?
EMA, EFSA, Komisioni Europian, AEMPS apo një autoritet tjetër?
1. Cili është numri i vendimit ose i certifikatës?
Një fotografi e një letre të një kompanie prodhuese nuk është autorizim i Bashkimit Europian.
1. Si është klasifikuar produkti?
Bar, pajisje mjekësore, suplement ushqimor apo ushqim për qëllime të veçanta?
1. Cilat janë substancat aktive dhe dozat?
2. Ku janë studimet paraklinike dhe klinike?
Sa pacientë janë përfshirë, cili ishte grupi i kontrollit, cilat ishin rezultatet dhe efektet e padëshiruara?
1. Ku është opinioni i EFSA-s ose pretendimi i autorizuar në Regjistrin Europian të Pretendimeve Shëndetësore?
Ky regjistër përmban pretendimet e lejuara dhe të palejuara për ushqimet dhe suplementet.
1. Cili është numri i patentës?
Patenta, edhe kur ekziston, mbron një shpikje; ajo nuk provon se produkti funksionon, është i sigurt apo është miratuar si terapi.
Për ta mbështetur do të duheshin:
•studime preklinike;
•studime klinike faza I, II dhe III;
•publikime në revista me peer review;
•të dhëna mbi dozën, efikasitetin dhe sigurinë;
•miratim nga autoritetet përkatëse nëse produkti paraqitet si trajtim ose parandalim.
Po mediat?
Të ulërish është pak!
Po aq shqetësues është fakti që shumë televizione, portale dhe faqe në rrjetet sociale i shpërndanë këto pretendime pa asnjë verifikim.
Askush nuk pyeti:
•Kush e ka dhënë miratimin?
•Ku është numri i vendimit?
•Ku janë studimet klinike?
•Ku është publikimi shkencor?
•Cili institucion europian e ka certifikuar?
Gazetaria nuk është transmetim deklaratash.
Gazetaria është verifikim.
Kur bëhet fjalë për shëndetin publik, përgjegjësia është shumëfish më e madhe.
Çfarë na mëson pandemia?
COVID-19 na tregoi dy gjëra.
E para, se shkenca mund të shpëtojë miliona jetë kur punon me transparencë dhe prova.
E dyta, se dezinformimi mund të përhapet po aq shpejt sa një virus.
Prandaj, si mjek, nuk më intereson kush e thotë një pretendim.
Më intereson nëse ai pretendim mbështetet nga prova.
Në mjekësi nuk vendosin emocionet.
Nuk vendosin teoritë konspirative.
Nuk vendosin videot virale.
Vendosin faktet.
Dhe faktet, deri më sot, kanë qenë gjithmonë aleati më i mirë i shkencës./dritare.net
*Shef i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës