Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndahet nga jeta legjenda e Milanit, Franco Baresi

Futbolli italian dhe bota e sportit janë tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të Franco Baresit, një prej figurave më të mëdha në historinë e AC Milan.

Klubi kuqezi ka reaguar me një mesazh prekës për legjendën e tij, duke shprehur dhimbjen për humbjen e ish-kapitenit dhe simbolit të Milanit.

“Historia e Milanit është në lot për ndarjen nga jeta të Franco Baresit. Shembulli dhe integriteti i tij do të jenë përgjithmonë, ashtu si fanella e tij ikonike me numrin 6, pjesë e pandashme dhe themelore e ADN-së dhe rrugëtimit të të gjithë klubit”, thuhet në reagimin e AC Milan.

Klubi ka shprehur gjithashtu ngushëllimet për familjen e Baresit, duke theksuar se dhimbja e kësaj humbjeje është e përbashkët për të gjithë tifozët kuqezi.

Franco Baresi mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të historisë së Milanit dhe futbollit italian. Ish-mbrojtësi ishte simbol i klubit kuqezi, të cilit i kushtoi të gjithë karrierën e tij, ndërsa fanella me numrin 6 është tërhequr nga klubi në nder të tij.

Largimi i tij shënon një moment të dhimbshëm për Milanin dhe për miliona tifozë në mbarë botën, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë si një prej legjendave më të mëdha të futbollit italian./L.F-drotare/net