Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ekskluzive/ Ish prostituta dhe nëna e vajzës me kancer, dy histori tragjike në Qendrën Sociale

Ekskluzive/ Ish prostituta dhe nëna e vajzës me kancer, dy histori

Nga Dritare.net

“Shtëpia e Përbashkët”, është një prej Qendrave Sociale në kryeqytet, hapur nga Bashkia e Tiranës,  në shërbim të njerëzve me pamundësi ekonomike. Qendra është në Laprakë, rruga "Dritan Hoxha" dhe është hapur para pesë vitesh, por në atë kohë ofrohej vetëm çaj.

Ndërkohë së fundmi Bashkia, ka bërë riparimin e ambienteve dhe ofron shumë shërbime të reja. Një prej tyre, që është përditë ploit, është mensa, ku mund të hash vaktin e drekës.

Qendra është e hapur nga ora 8:00 deri në 16:00, gjatë kësaj kohe mund të përfitohet edhe fizioterapia falas. Por sidomos, ata prindër të cilët kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, ose me probleme, mund t’i lënë fëmijët e vet, në qendër, nën kujdesin e psikologeve.

Rovena,  25 vjeçe, ish prostitutë, besnike e qendrës sociale.

img_1440

Rovena  është 25 vjeçe, ka lindur në Kavajë por me vdekjen e prindërve, jeta e saj do të merrte një rrjedhë tjetër. Kur ngeli jetime, ishte tezja e cila e mori në shtëpinë e vet por qëllimi i saj ishte ta nxirrte në rrugë për të lypur.

“Jemi pesë fëmijë, por që kur na vdiqën prindërit jemi shpërndarë si familje . Deri 14-15 vjeçe isha te tezja në Kavajë, por ajo më rrihte e më nxirrte të lypja. Haja bukën e nga fytyra më rridhte gjaku.

Prandaj ika dhe erdha për në Tiranë, ku mësova dhe rrugën e keqe, por isha e detyruar që të mbijetoja. Nuk dija gjë tjetër vetëm të lypja, por kur të shohin të re, nuk të japin lëmoshë, ndaj nisa të shisja  trupin. Disa vite më pas, nuk e mbaj mend saktësisht sa vjeçe isha, linda vajzën time të parë, më pas djalin dhe një vajzë tjetër. Nuk kisha ku t’i mbaja, sepse më duhej të punoja dhe nuk doja të rrinin aty afër meje e të më shikonin, prandaj i dërgova në jetimore. Aty i kanë adoptuar. Unë tani nuk e di as ku janë apo si janë. Nuk i njoh prindërit e tyre të rinj, por nuk di as kush janë baballarët e tyre. Më dhemb që nuk mundem t’i shoh, por mendoj që ata nuk do të rriten me mua, në rrugë dhe kjo është gjë e mirë për ta.

Pasi i çova ata në jetimore u martova me Saimirin dhe mendova se do gjeja qetësi, por prapë nuk më eci. Dhe ai më keqtrajtonte, më rrihte, më nxirrte në rrugë. Me të kam dhe një vajzë Anjezën, ajo është 12 muajshe.  Saimirin e lashë, pasi takova Lorencin. Ai më tha se do të kujdesej për mua dhe nuk do të më keqtrajtonte. I besova dhe shkova të jetoja me të.  Në atë kohë isha shtatzanë prej dy javësh.

Anjezën e linda në rrugë, pas 15-katëshit, atje ku pothuajse të gjitha ato si puna ime i lindin fëmijët dhe i mbajnë me vete kur punojnë. Kështu isha dhe unë. E merrja fëmijën me vete kur shkoja që punoja në rrugë, nuk kisha ku ta lija, e shihja fëmijën aty te cepi dhe i thoja vetes ‘duro dhe pak, sa të marrësh një shtëpi e ta rris fëmijën time me kushte’. Por as shtëpi nuk kam e tani as fëmijë.

Prandaj vendosa ta çoja në jetimore edhe Anjezën. Shkoj ta shoh, kur nuk jam sëmurë, shkoj çdo dy javë ose një javë. Iki në këmbë deri te rruga e Elbasanit, pasi me lekët e autobusit i blej vajzës diçka.

Shkova dje e takova Anjezën, ishte bërë shumë e bukur,  vetëm qeshte. E përqafova fort, mbante erë shumë të mirë, dua shumë ta marr me vete, ta kem timen, por e di që atje është më mirë se me mua. Nuk dua që goca të ndiqte rrugën time, sepse kjo është shumë e keqe.

Do të doja shumë të kisha një familje siç kanë të gjithë, të kisha fëmijët e mi dhe një burrë që nuk më rreh. Të kisha një jetë si të tjerët e mos të më shënonin me gisht njerëzit. Dua që fëmijët e mi të kthehen, por nuk kam mundësi që t’i marr,  jam pa punë pa shtëpi e nuk di ku ti çoj.  Gjatë ditëve dal që mbledh kanaçe ose nëpër kazana që gjej diçka dhe e shes.

Dhe Lenci më ka rrahur, kur isha me barrë e më ka gjuajtur. Më qëlloi dhe para disa ditësh, por çfarë t’i bëj unë, jam munduar që ta marr me të mira më pas. Unë tani jetoj me atë dhe nuk ia vlen që ta lë, se Lenci të paktën nuk do që unë të dal e të punoj në rrugë. Po qe se unë ndahem nga ai,  nuk kam ku të shkoj dhe do të detyrohem të nis prap të punoj në rrugë, por unë nuk e dua këtë gjë.”

Flora, 62 vjeçe, nëna e një vajze me kancer

img_1456

Flora ka punuar në industrinë tekstile, ku doli dhe në pension dhe me të jetonte, por sëmundja e vajzës e ka detyruar të vijë çdo ditë në qendër e të hajë një pjatë gjellë.

“Vajza ime e vetme është diagnostikuar me kancer në shtator. Nuk di më ku kam kokën dhe vetëm kur vij këtu në qendër gjej qetësi. Bisedat që bëj me drejtoreshën më japin shpresë dhe kurajo. Këtu nuk marr vetëm një vakt, por gjej dhe mbështetje.

Vajza ime, Flora është 44 vjeçe, ajo punonte në punë të zezë në Itali dhe nuk ka qenë asnjëherë e siguruar. Gjatë punës, rrëshkiti dhe tashmë ka pesë pika gjaku të mpiksura në tru, por para disa muajsh ajo zbuloi se ishte me kancer në gji. Shkoi te një kishë në Itali, ato e ndihmuan me lekët dhe u operuan këtu në Shqipëri. Spitali të mban për tre ditë pas operacionit por tashmë duhen lekët për të bërë kimioterapitë. Me shumë siklet kam gjetur disa lekë borxh, pasi vajza nuk ka as pension e as ndihmë. Ajo nuk punon dot, është e pafuqishme tani dhe krahun e lëviz me shumë vështirësi pasi ka hequr gjirin.  Ka bërë dy terapi dhe i mbeten edhe gjashtë të tjera.

Unë jam 62 vjeçe, i vetmi burim financiar është pensioni që marr prej 140 mijë lekësh të vjetra, por vajza çdo tre javë duhet të bëjë analizat që kushtojnë deri në 50 mijë lekë të vjetra, më pas ilaçet shkojnë rreth 130 mijë lekë të vjetra. Jam duke u përpjekur të shes veshkën, se gjë tjetër nuk kam, duhet të shpëtoj vajzën.

Kur u zbulua që ishte me kancer, bashkëshorti i vajzës i kërkoi divorcin, i mori tre fëmijë e ka ikur jashtë shtetit. E nuk ka folur që atëherë, ai nuk do, pasi janë pa letra jashtë vendit dhe ka frikë mos i prish punë.

Ndërkohë nga ana tjetër është bashkëshorti im, me të cilin kanë lindur debatet, pasi unë kam marr në shtëpi edhe nënën time.

Burri tani ka nisur të më thotë se përse duhet të rrijë mamaja ime tek shtëpia jonë, por nuk di ku ta coj,  nuk do ta nxjerr nënën jashtë. Ndjehem me shpatulla pas muri, nuk di ku të kërkoj ndihmë, të paktën të më shpëtojë vajza, pasi nëse më ikën ajo nuk e di çfarë do bëhet me mua.”

Arlinda, drejtoresha e Qendrës bën thirrje për solidaritet dhe vullnetarizëm

img_1450

Arlinda Bilali, në një intervistë për dritare.net, e cilëson qendrën si një mundësi shumë të mirë për qytetarët që kanë nevojë dhe me fokus përfshirjen në shoqëri.

“Është një qendër sociale multidimensinale,  në varësi të Bashkisë së Tiranës dhe ka në fokus  njerëzit në nevoje. Nuk ka dallim çfarë moshe apo gjinie kanë, këtu vijnë të gjithë ata që nuk kanë dot mundësi të hanë një vakt të ngrohtë në shtëpi.

Ne këtu kemi edhe klasën e fëmijëve, të cilët i sjellin prindërit që nuk kanë mundësi ekonomike. Kryesisht janë fëmijët me probleme ose me aftësi të kufizuara, që ndiqen edhe nga psikologët e qendrës.

Në qendër është dhe fizioterapia, për ta përftuar këtë shërbim nuk është e domosdoshme të jenë vetëm ata që vijnë e hanë drekën. Kushdo mund të vijë e të kryejë fizioterapinë falas dhe me një specialist shumë të mirë.

Në drekë hapet mensa, aktualisht janë 140 veta. Salla ka kapacietet për rreth 100 veta, e prandaj ndonjëherë ne e bëjmë me turne në mënyrë që të ushqehen të gjithë. Shumë prej tyre vijnë që në orën 10 të mëngjesit dhe pijnë çaj, më pas merren me aktivitete, luajnë me letra ose domino, kemi ditën e pastrimit etj. Dreka shtohet në orën 12:30 dhe në kujdesemi t’i ulim sa më kujdesshëm, pasi duke qenë kategori e karaktere të ndryshme mund të krijohen dhe konflikte mes tyre. Dreka ka dy pjata kryesore, ka çdo ditë mish, fruta dhe ëmbëlsira. Ta siguroj që nuk ka asnjë ndryshim nga ato që ne hamë në shtëpitë tona.

Këtu ke nga ata persona që kanë qenë shumë të pasur dhe i kanë lënë lekët me vese, deri te prostitutat dhe tranvestitët. Ke dhe nga ata çuna të rinj që janë përtacë për të punuar, unë nuk jam pro që ata të jenë përfitues, por përsëri është e drejta e tyre të vijnë.

Mendoj se ata që janë të shëndetshëm dhe të rinj, mund të gjejnë një mundësi pune në mënyrë që të bëjnë diçka për veten e tyre dhe të mos i harxhojnë lekët me bixhoz apo në pije alkolike. Ne duhet të ndihmojmë ata që vërtetë janë shumë keq, janë me aftësi të kufizura ose pleq, nënat më fëmijë që nuk kanë mundësi financiare, para  djemve dhe burrave në moshë që e përballon punën.”

img_1442

Arlinda shpjegon për dritare.net, se cilët janë përfituesit e një qendre sociale dhe si veprohet për të qenë pjesë e saj.

“Njerëzit vijnë në qendër për ndihmë, unë i kërkoj disa dokumenta, si certifikatë familjare, mjet identifikimi, nëse ata kanë analiza shëndetësore dhe secili përfitues ka dosjen e vet. Njëkohësisht punonjëset sociale që punojnë këtu, shkojnë atje ku jetojnë ata, pasi ka ndodhur që kanë ardhur persona e kanë gënjyer për gjendjen e tyre ekonomike. Kur ndërkohë ka shumë persona të tjera ndoshta në gjendje edhe më të keqe, të cilëve mund t’i zihet vendi.

Ata që vijnë këtu i përfitojnë shërbimet për një vit, por ka dhe nga ata që kanë nevojë për tre muaj. Ne nuk duam të privojmë askënd dhe po përpiqemi që ta çojmë në 200 numrin e personave që vijnë këtu në qendrën sociale. Mjafton të kesh dëshirën e më pas kushtet krijohen, do e bëjmë me turne, ose do gjejmë zgjidhje tjetër, por rëndësi ka të ndihmojmë sa më shumë njerëz.”

img_1449

Ndër shërbimet e ofruara në qendër, pritet të shtohet edhe një klasë për fëmijët autikë, me qëllim që fëmijët të jenë nën kujdesin e një specialisti.

“Kemi në plan që të hapim edhe një klasë për fëmijët autikë, sepse ka shumë kërkesa dhe prindërit përveç sëmundjes së fëmijës së tyre, nuk kanë ndihma. Ne nuk do të bëjmë mrekullira por sadopak do t’ia lehtësonim ditën, duke i mbajtur ne fëmijët për tetë orë. Në këtë mënyrë dhe ata mund të shkojnë të punojnë.

Ne njerëzit e duhur i kemi të cilët e kanë me shumë dëshirë këtë gjë. Trungu i qendrës janë punonjësit, të cilët  janë psikologë, punonjës socialë, fizioterapisti, kuzhinieri dhe ndihmës kuzhinieri. Kur të hapim edhe klasën për autikët do të jetë edhe një logoped.”

Nëse krahasojmë  qendrat sociale në vende të ndryshme të botës, ato funksionojnë në mënyrë vullnetare, ku vet komuniteti ndihmon. Ndërkohë në Shqipëri duket se pjesa e sensibilizimit është ende e  fshehur dhe ne ende nuk shohim përtej oborrit të shtëpisë sonë. Në qendër të gjithë punonjësit, rreth 15 vetë, paguhen nga Bashkia, asnjë nuk punon vullnetarisht, gjë që është krejt normale jashtë, për studentë apo njerëz që mund të përballojnë punën dhe duan të japin kontribut në shoqëri. Këtu puna vullnetare nuk kuptohet.

“Ne shqiptarët nuk e kemi shumë në kulturën tonë pjesën e vullnetarizmit, por disa shkolla sjellin fëmijët, të nxitur dhe nga ne që shkojmë i ftojmë të vijnë e të shohin një realitet tjetër e të ri për ata fëmijë që iu plotësohet çdo dëshirë. Duhet të mësojmë edhe fëmijët tanë për realitetin e hidhur ,  që në këtë mënyrë ata mos të bëhen paragjykues dhe të mësojnë   vullnetarizmin. Të mos jenë individualistë dhe më tepër socialë.

Ka pasur disa biznese që kanë ndihmuar, supermarketet sjellin ushqime ose produkte të ndryshme ushqimore. Ne punonjësit shpesh shkojmë në supermarkete, e marrim ato ushqime që janë afër datës së skadencës ose kur ka festa ata na i sjellin dhe ne i shpërndajmë në bazë të nevojave.”- thotë Arlinda për dritare.net

Në qendër janë edhe katër psikologë të cilat merren me personat të cilët kanë probleme.

https://www.youtube.com/watch?v=QH6f-UCmPkU

“Janë të rinj e të reja që kanë mbaruar shkollën , ne i quajmë fëmijë edhe pse ata tashmë janë në moshë madhore nga 18 e sipër. Tashmë që ata janë në moshë të rritur nuk kanë ku të shkojnë dhe për këtë arsye ne kemi krijuar këtë hapësirë.

Gjatë paradites shohin televizor, ngjyrosin, bëjmë lojra të ndryshme, në mënyrë që të zbaviten. Por duke qenë se kryesisht e kanë mbaruar shkollën dhe çfarë ka qenë për të mësuar ata tashmë e kanë përthithur, prandaj ne jemi përqëndruar te pjesa e zbavitjes.”

2016-12-02-13-33-51

Fizioterapia është një prej shërbimeve më të kërkuara nga qytetarët, kjo pasi trajtimet në klinika private janë shumë të kushtueshme. Juli tregon për dritare.net, se fizioterapia, veglat e të cilës janë donacian i shtetit turk, bëjnë një trajtim të plotë në qendër dhe e gjitha është falas.

“Janë mbi 17 persona që vijnë edhe terapitë këtu, më pas janë edhe përfituesit e qendrës. Përveç veglave, bëjmë edhe masazhet. Mosha nga 9 deri në 50 vjeç që është më i madhi, mosha mesatare nga 25-30 vjeç. Kushtet janë optimale, normalisht që ka gjithmonë më mirë, por ne mundohemi t’i plotësojmë të gjitha nevojat që pacientët ta kenë trajtimin e plotë.”

img_1438

Janë të shumtë njerëzit që sheh në qendër, i sheh teksa rrinë të ulur në karrige dhe presin orën që ushqimi të jetë gati. Luajnë  shah, disa të tjerë diskutojnë mbi motin,  të tjerë qëndrojnë në heshtje me vështrimin bosh.

Kanë nevojë për ushqim, por më tepër kanë nevojën e t’u ndjerit pjesë e shoqërisë, duan të dëgjojnë psikologet teksa i thonë fjalët magjike: “çdo gjë do të rregullohet”.

Ulen të gjithë me radhë në sallën e mensës, dikë e sheh të hajë me shpejtësi, pasi ka munguar një ditë më parë dhe është pa ngrënë. Ajo pjatë është një shpëtim për ta, një përkujdesje e munguar dhe një kurajo për të ecur e një ditë më shumë.

Dhe kështu largohen, të ngopur për momentin, për të ardhur prapë e përditë. Drejtoreshë Arlinda i pret dhe e përcjell të gjithë, si zonjë shtëpie, me buzë në gaz dhe dorë mbi supe. Për ta Arlinda është shteti, është Zoti, është jeta që nuk kanë. /dritare.net