Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

BE për dhunën gjatë protestave: Dialogu konstruktiv është rruga përpara

BE për dhunën gjatë protestave: Dialogu konstruktiv

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dënuar përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave në kryeqytet, si dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.

Përmes një reagimi, Delegacioni i BE-së u ka bërë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.

Delegacioni nënvizon se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Në reagim theksohet gjithashtu rëndësia e dialogut konstruktiv mes të gjitha palëve, si rruga për të adresuar shqetësimet legjitime dhe për të gjetur zgjidhje.

Apeli i Delegacionit të BE-së vjen në një kohë kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me akte dhune dhe dëmtime të pronës, ndërsa situata në kryeqytet vijon të mbetet e tensionuar.

"Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime", thuhet në reagimin e BE.