
No Logo. Intervistë me një nga ideatoret dhe udhëheqëset e protestës të së dielës.
Dritare.net

Kush është Alida Karakushi?
Kam lindur në Kukës, nga dy prindër që i përkisnin klasës punëtore. 6 vjeç fitova konkursin e talenteve, dhe dola e dyta në Shqipëri. Qeveria komuniste e kohës më dha një bursë të vijoja studimet e violinës në Shkodër por duke qenë e vogël, familja e refuzoi. Kësisoj shteti dërgoi në qytetin tim një mësuese violine nga Vlora. Kur ndërroi sistemi, ajo iku. Ndërrimi i sistemit më gjeti 12 vjeç. Familjarisht u larguam nga vendlindja dhe u vendosëm me qera në një lagje të Tiranës. Babai bashkë me vëllezërit emigruan në Greqi. Më vonë të shtyrë nga kaosi i 1997-ës, edhe ne, pjesa tjetër, ju bashkuam. U kthyem në 2001-shin për të riikur në Francë, Paris. U ktheva në 2006-ën në Shqipëri. Përfundova studimet për shkenca politike në Universitetin e New Yorkut të Tiranës. Më vonë fitova bursën Fullbright për studimet master për politika publike tek universiteti shtetëror i Oregonit në SHBA.
Në kulturën popullore shqiptare, është tradicionale të mendohet se marrja me politikë është atribut i partive. Cilat janë fillesat tuaja në jetën publike?
Për mua politikë do të thotë të reagosh për vendime që prekin mbare interesat e komunitetit. Një formë e të bërit politikë është dhe protesta, është dhe publikimi i shkrimeve në media kur interesi e motivimi ka si busull të mirën publike. Fillesa ime publike nisi në vitin 2006 kur botova një shkrim për inefikasitetin e KESH-it. Pastaj vendosa të hap blogun tim http://alidakarakushi.blogspot.al/ ku fillimisht nisi si në reagim ndaj medias së kapur, më vonë me qasje ndaj temave sociale, politike e ekologjike deri ku evuloi në thirrje për protesta pasi u vu re qartë se fjalët e shkruara nuk mjaftonin. Për këtë u bë shtysë tragjedia që i mori jetën një vajze në 2012, Aishja, së cilës po i mohoej dhe funerali. Mbaj mend se bëra thirrje si individ, e se premtova se dhe sikur vetëm të isha në atë protestë, do ta bëja. Në fakt u bashkuan dhjetra qytetarë. Shumë prej tyre më konfirmuan se ishte hera e parë qe i përgjigjeshin një thirrjeje për protestë. Gjatë vitit 2012 filluam disa organizime sporadike me anë të mediave sociale, ku qytetarë të ndryshëm pa logo partish apo organizatash, krijuam një bërthamë individësh që kishin mbi të gjitha interesin e reagimit pa pretendime personale. Kështu organizuam protestë para gjyqësorit për mos funksionimin e tij, kundër korrupsionit, kundër ndërtimeve pa leje etj. Edhe bashkë jemi njohur në kuadër të aktivizimit tonë të përbashkët tek lëvizja ekologjike e korpusit shqiptar të vullnetarëve. Edhe me ata që do beheshin nismëtarë të votës së bardhë u njohëm piksëpari në këto protestat pa ngjyra e pa flamuj, në protestat ku kërkohej zbatimi i ligjit, fundi i dhunës ndaj grave, dhe me kulturen e mosndëshkimit institucional. Vota e Bardhë ndërkohë ishte lëvizja që për herë të parë pa pretenduar pushtet po shërbente për ti tërheq veshin mbarë kastës politike. Ky është me pak fjalë aktivizimi im publik.
Cili është orientimi juaj politik dhe pse nuk jeni anëtarësuar në parti politike, nëse ky orientim është i të njëjtit krah që ato pretendojnë se ndjekin.
Orientimi im politik rrotullohet tek socialdemokracia. Jam për mundësi të barabarta, arsimi e shëndetësia falas, por nuk jam për asistencë monetare pasi dekurajon daljen nga statusi i papunësisë. Në Shqipëri kemi pasur parti por jo politikë, pasi politika është për ato klane interesash të veçanta që dhe sot si dinamikë kanë tentakulat e individit lider dhe lidershipin që nuk njeh rotacion e që ka mungesë demokracie brenda strukturës. Me këtë situate ku partitë nuk priren nga ideologjitë, kombinuar me alergjinë që kanë ndaj transparencës, politika e ushtruar ka qenë në dëm të publikut. Ky deformim i tyre, mungesa e ideologjisë, më ka bërë që mos rreshtohem me asnjërën prej tyre.
Kush ishin organizatorët e protestës tek Parku i Liqenit, dhe a keni lidhje ju me PD-në?
Organizatorët e protestës tek parku ishin pjesëtarë të disa organizatave politike por jo partiake. Kishte përfaqësues të OP (Organizata Politike), përfaqësues të lëvizjes “Vota e Bardhë”, si dhe anëtarë të grupimit “Ne Shqipëria”, qytetarë të pavarur dhe ambientalistë. Të gjithë u zhveshëm nga logot për të mirën e publikes. Kauza për mbrotjen e të vetmit park të gjelbër na bashkoi. Ky organizim edhe nëse ka pasur ndonjë mbështetës me bindje të djathta (supozojmë) nuk ka pasur në nivel organizativ asnjë eksponent të PD-së apo partie tjetër opozitare. Arsyeja pse në protestën e parë u organizam duke mos e bërë publik eventin për orarin, dy orë thuajse para protestës se thirrur nga PD, ishte pikërisht për të shmangur kalërimin partiak. Por edhe kur e shmangëm PD-në nga protesta, PS-ja dhe media sërish u munduan ta sfumojnë si organizim të aktivistëve të shoqërisë civile. Kjo sepse ju intereson neutralizimi i debatit. Kështu kur Rama akuzoi PD-në për protestën që ne bëmë, e akuzoi pikërisht për të neutralizuar aspektin qytetar të protestës. Ndërkohë PD-ja nga ana tjeter, meqënëse i mungon kapitali politik dhe ka interes të kalërojë protesta, nuk e përgënjeshtroi. Përkundrazi, na imitoi deri në detaje. Dje, ne morem ca dërrasa të gardhit e i depozituam para bashkise. Sot PD-ja ( që u tregua e dhunshme e së cilës policia nuk i tregoi dhëmbët siç bëri me ne) bëri ekzaktësisht të njëjtën gjë.
Siç edhe e shprehët, jeni një grumbullim organizatash me orientim politik ku shquhet edhe aspekti ekologjik. A keni në plan një organizim të mëtejshëm tuajin, apo do të vazhdoni me grumbullime sporadike? A do kemi së shpejti një logo të re?
Nuk mund të flas si përfaqësuesja e kësaj vale reaguese sepse nuk kam mandat. Për momentin, jemi të vendosur që të vijojë mbrojtja e parkut deri kur ky plan të anullohet e bashkia të tërhiqet. Konteksti është shumë armiqsor me ne. Nga një anë shteti me strukturat e tij, në krahun tjetër opozita që na vjedh kauzat, e shoqëruar me terrin informativ që ndjekin mediat ndaj lëvizjes tonë. Por një gjë është e sigurtë: ne si forcë reaguese do të na duhet të perfeksionojmë strukturën organizative, per të mbikaluar këto probleme. Jemi të bindur se nuk do të jetë e lehtë. Por jemi të vendosur që të shkojmë deri në mjetet e fundit që disponojmë për mbrojtjen e parkut të vetëm të qytetit. Kjo është kauza e parë dhe ne jemi të gjithë ushtarët e saj. Edhe pse nuk mund t’u premtoj se kjo çadër lëvizjesh do të krijojë një forcë të vetme, jam e sigurt se nëpërmjet reagimit, po i vemë kufi qeverisjes arrogante, qeverisjes që thyen ligjin, qeverisjes që nuk njeh transparencë, dhe opozites që mundohet të përvetësojë shpirtin e protestës me infiltrimet që bën. Po i japim mesazh dhe pjesës tjetër të shoqerisë se ka ardhur koha për të kaluar nga reagimet spontane, në artikulime te qarta. Me shumë gjasa, nesër pasnesër disa prej këtyre lëvizjeve do të institucionalizohen e formësohen. Mbase kjo ju duket sporadike. Por unë them më mirë një dinamikë e shëndetshme, sesa parti e tipit mikrovalë, edhe pse na eshte sosur durimi. Sa per logon e këtij bashkimi për mbrojtjen e parkut, sapo kemi hedhur disa ide. Së shpejti do të merret një vendim dhe do të votohen propozime. Por ndërkohë ajo që është e rëndësishme, është ruajtja e dinamikës protestuse./dritare.net

















