
Kufijtë e identitetit: Shqiptarët e Kosovës dhe narrativa e kombit kosovar!
Dritare.net
Nga Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi
Kohët e fundit në media e rrjete sociale po hasen gjithnjë e më tepër reflektime e diskutime rreth termave “Kosovë”, “kosovar”, “komb kosovar” etj. Në mënyrë të veçantë, debati i njohur ndërmjet akademikëve Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare i para shumë viteve për identitetin shqiptar të kosovarëve, ka shërbyer si katalizator për vazhdimin e tij.
Këto diskutime, shpesh të ngarkuara me ndjeshmëri historike dhe politike. Jo rrallë ato vazhdojnë të gjenerojnë polemika, ndarje mendimesh dhe ndonjëherë edhe irritim në opinionin kombëtar shqiptar. Në mënyrë të veçantë, figura publike, akademikë, analistë politikë si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shkencore, përfshirë edhe vetë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kanë luajtur rol të rëndësishëm në ushqimin apo kundërshtimin e këtyre polemikave.
Në thelb të debatit qëndron ende pyetja nëse këto terma janë thjesht shprehje të një përkatësie gjeografike apo përfaqësojnë një projekt të ri identiteti, i cili mund të ndajë shqiptarët e Kosovës nga trungu kombëtar.
Nëse deri tani ky diskutim ishte ende në fazë embrionale dhe i kufizuar kryesisht në rrafshin e debatit, prej disa vitesh ai është institucionalizuar, duke marrë përkrahje të hapur në forma politike dhe akademike për ndërtimin e një identiteti të veçantë “kosovar”.
Ky zhvillim ngre shqetësime të mëdha për të ardhmen, pasi mbështetja e idesë së një kombi kosovar mund të sjellë pasoja të paimagjinueshme për tërësinë e shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre në Ballkan. Në radhë të parë, këto zhvillime dëmtojnë pikërisht Kosovën.
Sipas Noel Malcolm termi “Kosovë” rrjedh nga sllavishtja e vjetër “Kosovo polje”, që përkthehet “Fusha e kos-ëve” (fusha e mëllenjave; kos në serbisht do të thotë mëllenjë). Ndërsa mbaresa “ovo” është një sufiks mbiemëror. Në mënyrë të veçantë, emri lidhet me betejën e madhe të vitit 1389 në atë që njihet sot si Fusha e Kosovës. Gjithmonë sipas Malcolm, ky emër përmendet për herë të parë në shkrimet për betejën e Fushë Kosovës dhe është pak e paqartë se si dhe pse Kosova është bërë emri i kësaj njësie territoriale; ajo nuk është përdorur kurrë si emër territorial gjatë sundimit të Mbretërisë mesjetare Serbe. (Malcolm 2001, 3).
Më pas, në periudhën osmane dhe atë të Mbretërisë së Jugosllavisë, termi “kosovar” përdorej si gentilice për banorët e Kosovës, pa dallim etnie. Ai nuk kishte karakter identitar të veçantë, por ishte një etiketë krahinore, e ngjashme me termat si “shkodran”, “gjakovar”, apo “tiranas”.
Vetëm pas krijimit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë brenda Federatës Jugosllave, termi “Kosovë” e “kosovar” mori një përdorim të institucionalizuar, fillimisht në kuptimin krahinor-administrativ dhe më pas në një trajtë që përpiqej të zëvendësonte përkatësinë etnike. Në dokumentet zyrtare, në mediat e kohës dhe në diskursin partiak të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, përdorimi i termit “kosovarë” për shqiptarët u shndërrua në një mjet për të ndarë shqiptarinë etnike nga ajo politike e shtetërore.
Sabrina P. Ramet vëren se në vitet 1970–1980, autoritetet jugosllave promovuan konceptin e “kosovarizmit” si një mënyrë për të ndërtuar një identitet të veçantë jugosllav për shqiptarët e Kosovës, të ndarë nga identiteti kombëtar shqiptar. Kjo përpjekje kishte si synim të amortizonte ndikimin ideologjik dhe simbolik të Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe të frenonte aspiratat për bashkim kombëtar (Ramet 2006, 295). Në këtë kuptim, “kosovar” nuk ishte më vetëm një term i përkatësisë gjeografike, por një kategori politike që synonte të krijonte një “kombësi të tretë” brenda Jugosllavisë.
Këtu vlen të theksohet se kur u krijua Instituti Albanologjik i Prishtinës, ai duhej të ishte formalisht një strukturë kërkimore brenda sistemit akademik të Republikës Socialiste të Serbisë. Qëllimi i themelimit të tij, sipas synimeve fillestare të udhëheqjes jugosllave – ishte të kontrollonte dhe orientonte studimet mbi shqiptarët në mënyrë që ato të përputheshin me politikat e integrimit federativ dhe zbutjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë. Për shembull, në dekadat e para, kishte përpjekje për ta paraqitur kulturën shqiptare si një realitet i veçantë kosovar, jo domosdoshmërisht i lidhur me kombin shqiptar të Shqipërisë, dhe për ta çuar drejt një “kosovarizimi” të identitetit, të diferencuar nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë. Kjo ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të Jugosllavisë për të dobësuar lidhjet kombëtare shqiptare dhe për të frenuar nacionalizmin shqiptar në Kosovë.
Megjithatë, shumë prej studiuesve shqiptarë që punuan në Institut ishin patriotë me bindje të palëkundur. Ata jo vetëm që nuk pranuan të zbatonin këtë agjendë, por përkundrazi, e kthyen Institutin në një qendër të dijes dhe identitetit kombëtar shqiptar në Kosovë. Profesorë si Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Ali Hadri, Esad Mekuli, Fehmi Agani e shumë të tjerë, luajtën rol të rëndësishëm në këtë proces. Ata bënë që puna shkencore e Institutit të kishte orientim kombëtar dhe profesional, duke ndërtuar ura me traditën albanologjike të Tiranës, duke forcuar kësisoj vetëdijen kombëtare shqiptare në Kosovë. Në këtë mënyrë, institucioni që fillimisht ishte menduar si mjet kontrolli u shndërrua në një bastion të kulturës dhe identitetit shqiptar në Jugosllavi.
Sa më sipër, për shqiptarët e Kosovës, identiteti etnik është i lidhur ngushtë me përkatësinë shqiptare, dhe termi “kosovar” është përdorur më shumë në një kuptim qytetar. Kjo ka qenë veçanërisht e dukshme pas pavarësisë së Kosovës më 2008, ku nevoja për një identifikim kombëtar të gjithëpërfshirës (përfshirë komunitetet jo-shqiptare si serbët, boshnjakët, romët e të tjerë) e bëri të nevojshëm përdorimin e këtij termi në dokumente zyrtare dhe diskurse diplomatike. Ardian Kastrati e sheh këtë kalim nga “nacionalja” te “qytetarja” si një proces kompleks i rindërtimit të përkatësisë në kontekstin e një shteti multietnik në ndërtim (Kastrati 2015, 42).
Rreziku i keqkuptimit ose keqpërdorimit të termit “kosovar” qëndron në përpjekjet për ta paraqitur si një identitet etnik të ndryshëm, ose të ndarë nga kombësia shqiptare. Kjo tendencë është parë në disa analiza ndërkombëtare që promovojnë neutralizimin e konfliktit përmes ndarjes simbolike të përkatësisë. Robert Elsie theksonte se “kosovar” nuk ka qenë kurrë një identitet etnik i vetëdijshëm, por një term politik e administrativ që nuk i zëvendëson dot përkatësitë kulturore dhe historike (Elsie 2004, 145). Ai paralajmëron se një “etni kosovare” nuk mund të krijohet artificialisht në një kontekst ku lidhjet kulturore, gjuhësore dhe historike me kombin shqiptar janë thelbësore dhe të rrënjosura.
Fatkeqësisht, kjo dukuri ka prekur edhe fushën e shkencës, veçanërisht albanologjinë, e cila ka pasur historikisht rolin e ruajtjes dhe afirmimit të identitetit shqiptar. Rasti më domethënës është ai i “Enciklopedisë shqiptare”, një projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që po shoqërohet me tensione të dukshme konceptuale dhe institucionale, shoqëruar shpesh me përdorimin e formulimeve si “ne” dhe “ju”, të cilat implikojnë ekzistencën e dy identiteteve të ndara.
Edhe më shqetësues është fakti që në këtë enciklopedi po përfshihen personazhe, ngjarje dhe fenomene që nuk i përkasin rrafshit kombëtar, por atij rajonal apo tematik, çka e dëmton koherencën shkencore të projektit. Tendenca për të ndarë në mënyrë të barabartë numerike përfaqësimin enciklopedik mes Shqipërisë dhe Kosovës – një qasje që nuk bazohet në metoda akademike por në kriterin e barazisë formale – krijon një model që nuk funksionon për një enciklopedi kombëtare. Kombi shqiptar është i dimensionuar qartë dhe përfshin si Shqipërinë ashtu edhe Kosovën brenda kufijve të tij identifikues.
Çdo përpjekje për të ndarë këtë trup të njësuar, qofte në emër të barazisë institucionale apo autonomisë shkencore (pasi demek jemi dy shtete të ndryshme) cenon thelbësisht identitetin kombëtar dhe e zhvendos enciklopedinë nga karakteri i saj unifikues kombëtar në një platformë për legjitimimin e identiteteve të ndara.
Në këtë kontekst, vlen të përmendet se vetë Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës prej vitit 2019, në librin e tij “Identiteti kosovar”, botuar në Prishtinë në vitin 2011 kur ai ende nuk ishte kryetar i ASHAK, ka theksuar se termi “kosovar” është përdorur tradicionalisht si përkatësi krahinore dhe administrative, por kurrsesi nuk duhet të kuptohet si identitet i ndarë nga ai shqiptar. Kraja vëren qartë se “nuk ka identitet tjetër përveç atij shqiptar”, duke theksuar se çdo përpjekje për të ngritur një identitet të pavarur kosovar që nga lashtësia është jo vetëm e papërkrahur në burime shkencore, por edhe e rrezikshme për unitetin kombëtar.
Sipas tij, ideja e “kombit kosovar” është një projekt i imponuar dhe që i shërben më shumë dezintegrimit sesa afirmimit kulturor.
Ky qëndrim i kreut të institucionit më të lartë shkencor të Kosovës, është një dëshmi se shumë prej shqetësimeve për deformime identitare nuk përkrahen nga mendimi akademik serioz por ushqehen më shumë nga qarqe të kufizuara. Por, nga ana tjetër në projektin madhor “Enciklopedia shqiptare” është krijuar një tension domethënës ndërmjet zhvillimeve në praktikë dhe reflektimeve në teori: nga njëra anë, theksohet mbrojtja e këtij identiteti dhe nga ana tjetër vërehet një tendencë për të legjitimuar në mënyrë të heshtur dasitë, duke ju referuar diskursit shkencor dhe atij institucional. Ecuria e këtij projekti madhor albanologjik kombëtar po tregon se kanë filluar përplasjet brenda vetë elitës akademike të Kosovës, çka është njëherazi dëshmitare e debatit të brendshëm mbi identitetin dhe sfidës për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet veçantive rajonale dhe përkatësisë kombëtare.
Por ky debat, sikurse theksuam qysh në hyrje të këtij shkrimi, zhvillohet edhe më gjerë. Tash prej disa vitesh, i yshtur kryesisht politikisht, po vërehet me shqetësim tendenca në rritje e ndërtimit të “identitetit kosovar”, i cili devijon nga qëndrimet tradicionale të albanologjisë. Ky fenomen është tregues i konstituimit të një epistemiologjie të re, e cila nuk bazohet në unitetin kombëtar, por në konstrukte të reja postmoderne që u shërbejnë më shumë interesave të jashtme sesa afirmimit të së vërtetës historike.
Një nga argumentet që përdorin përkrahësit e kësaj qasjeje është se krijimi i shtetit të Kosovës sjell natyrshëm nevojën për një identitet shtetëror, dhe si shembull shpesh përmenden modelet e vendeve gjermanofone, si Gjermania, Austria apo Zvicra, të cilat ndonëse ndajnë një gjuhë dhe kulturë të përbashkët, kanë zhvilluar identitete të ndryshme. Por ky krahasim është thelbësisht i gabuar dhe i pasaktë në kontekstin shqiptar. Ndryshe nga popujt gjermanikë, të cilët nuk janë përballur me rrezikun e zhdukjes fizike apo me presionin e përhershëm të asimilimit, populli shqiptar në Kosovë ka kaluar një histori të gjatë përndjekjeje, diskriminimi dhe fushatash të hapura shfarosëse. Prandaj, çdo përpjekje për të krijuar një identitet të ri në këtë kontekst nuk është një shprehje e pjekurisë demokratike apo e diversitetit kulturor, por një rrezik real për shpërbërjen e vetë identitetit shqiptar në trojet e veta. Modele mund të ketë shumë, por ne shqiptarët nuk shquhemi për përshtatje modelesh sipas kushteve tona; më tepër u referohemi atyre si shabllon, pa reflektuar mbi pasojat që sjell imitimi i verbër.
Pyetja thelbësore që duhet shtruar është: kujt i shërben kjo qasje dhe cilat mund të jenë pasojat e saj afatgjata për vetë shqiptarët?
Më tej, është e rëndësishme të trajtohet me kujdes edhe një tjetër prirje që po zë vend në disa qarqe akademike dhe publike në Kosovë e Shqipëri: ajo që përpiqet të rishkruajë marrëdhëniet historike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës përmes një optike akuzuese, duke rimarrë tezat e historiografisë jugosllave, ku pretendohet se Shqipëria prej Luftës së Dytë Botërore e më pas nuk është interesuar për Kosovën, Enver Hoxha ia “shiti Kosovën Titos” etj..
Një pretendim i tillë, i paprovuar në mënyrë të dokumentuar dhe i mbështetur më shumë në narrativa ideologjike e politike sesa në analiza të mirëfillta historike, kontribuon në dobësimin e ndjenjës së bashkësisë shqiptare dhe nxit një klimë mosbesimi ndaj shtetit shqiptar. Mbetet e paqartë se, si është e mundur që pothuajse çdo tezë e historiografisë jugosllave për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo Shqipërisë dhe Jugosllavisë në tërësi, përvetësohet dhe shpërndahet sot si e vërtetë e pa iu nënshtruar më parë një kritike serioze historike?
Pyes në mënyrë të ripërsëritur: kujt i shërben përçarja e shqiptarëve këtej e andej kufirit shtetëror?
Duhet theksuar se, pavarësisht natyrës autoritare të regjimit të Tiranës në vitet 1944-1990, Shqipëria zyrtare mbajti një qëndrim korrekt në raport me Kosovën, duke mbështetur ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi. Kontributi i Shqipërisë në themelimin dhe mbështetjen e Universitetit të Prishtinës, në sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe në formimin e brezit të intelektualëve kosovarë në vitet ’70–’80 është një fakt historik i pakontestueshëm. Në vend që të shërbejnë si pikë ndarjeje, këto të vërteta duhet të lexohen si dëshmi të një vazhdimësie kombëtare që nuk mund të fshihet as me ndarje shtetërore, e as me interpretime të pjesshme të historisë.
Përpjekjet për të ndërtuar një narrativë armiqësore ndaj Shqipërisë janë në funksion të së njëjtës logjikë që tenton të shkëpusë Kosovën nga trungu kombëtar përmes një konstruksioni identitar të ndarë.
Duke u kthyer në thelbin e debatit, është e rëndësishme të theksohet se vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve në Prishtinë i mbështet këto teza të reja identitare. Pjesa dërrmuese e tyre e shohin veten thjesht si shqiptarë, duke ruajtur ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe historike. Sidoqoftë, sllavët e jugut në mënyrë të vazhdueshme janë përpjekur në diskursin ndërkombëtar të vendosin një ndarje artificiale mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, duke e përshkruar identitetin e tyre si të ndryshëm.
Kjo është një strategji e vjetër, e përdorur për të dobësuar kohezionin kombëtar shqiptar dhe për të përçarë qëndrimet në nivel ndërkombëtar.
Tensionet konceptuale dalin në pah edhe më qartë kur vërehet se komuniteti serb në Kosovë nuk e pranon identifikimin si “kosovar”, por mbetet i lidhur fort me identitetin e tij kombëtar, duke e deklaruar hapur veten “serb”. Madje, një serb i Kosovës do të thotë gjithmonë se ai jeton në “Kosovë dhe Metohi”, por kurrë nuk do të pranojë që përkatësia e tij të identifikohet me emërtimin që përdoret për shqiptarët. Ky fakt ekspozon absurditetin e përpjekjeve për ndërtimin e një identiteti të ri “kosovar”, që synon të zëvendësojë përkatësinë shqiptare, kur në realitet ai nuk funksionon as për qëllimet e pretenduara integruese.
Në këtë kuadër, janë artikuluar edhe propozime për të ndryshuar emrin e shtetit në “Dardani”, me qëllimin për të krijuar një lidhje historike me lashtësinë ilire dhe për të shmangur një emërtim me prejardhje sllave. Edhe pse kjo nismë synon të ripohojë identitetin autokton të shqiptarëve, një ndryshim i tillë do të kishte pasoja të ndërlikuara. Së pari, ai do të rihapte çështjen e njohjes ndërkombëtare, e cila është ende e papërfunduar për shtetin e Kosovës, duke imponuar një cikël të ri legjitimiteti që mund të sjellë pasoja të padëshiruara politike.
Së dyti, një ndryshim i tillë i emrit do të keqkuptohej si përpjekje për të ridimensionuar identitetin shtetëror përmes simbolikës historike, në një kohë kur stabiliteti institucional dhe afirmimi i identitetit shqiptar në Kosovë duhet të jenë prioritet.
Prandaj, zëvendësimi i përkatësisë “shqiptar” me “kosovar” dhe propozimet për ndryshim emri si “Dardani” nuk ofrojnë zgjidhje për tensionet identitare, por përkundrazi, mund të kthehen në instrumente të reja për mjegullimin e përkatësisë dhe dobësimin e unitetit kombëtar shqiptar në tërësi. Sa më sipër, Kushtetuta e Republikës së Kosovës i emëron qytetarët si “kosovarë” në dimension shtetëror, pa përdorur termin “shqiptar”. Kjo e ndihmon qasjen multikulturale dhe qytetare, por lë hapësirë për vetëidentifikim të lirë të individit në raportin e tij personal me gjuhën, historinë, etnicitetin dhe kulturën – në një linjë me frymën e mosndarjes shqiptare, por edhe diversitetin institucional.
Akuzat për “paternalizëm” të Tiranës ndaj Prishtinës, të artikuluara herë pas here në qarqe politike dhe akademike në Kosovë, nuk qëndrojnë në analizën objektive të marrëdhënieve ndërshqiptare. Ato më shumë përfaqësojnë një narrativë që synon të minimizojë rolin historik dhe bashkëkohor të Shqipërisë si qendër kombëtare, dhe të legjitimojë një distancim institucional e simbolik që nuk i shërben unitetit kombëtar. Kjo tendencë, pavarësisht se shpesh artikulohet në emër të autonomisë politike apo barazisë midis dy shteteve shqiptare, përkon në mënyrë të rrezikshme me logjikën e vjetër përçarëse të politikës serbe në Kosovë.
Ndërsa Beogradi vazhdon me një politikë të dyfishtë – zyrtarisht refuzon njohjen e Kosovës dhe ndërkohë ndërton struktura paralele destabilizuese në veri – akuzat e tij ndaj Tiranës shërbejnë për të devijuar vëmendjen nga kërcënimi real dhe për të krijuar ndarje artificiale brenda trupit kombëtar. Kjo qasje dobëson jo vetëm kohezionin strategjik të shqiptarëve, por u lë hapësirë forcave që punojnë në sfond për ta fragmentuar përfaqësimin e tyre politik dhe identitar.
Sigurisht nuk mund të thuhet se artikuluesit e tezave që po diskutojmë përfaqësojnë një strategji të mirëfilltë të bashkëpunimit me Serbinë. Megjithatë, mund të thuhet se këto qëndrime shkojnë në favor të interesave të Beogradit. Ato legjitimojnë pretendimet e tij për ndarje etnike dhe e paraqitin Kosovën si një shoqëri të fragmentuar dhe të paqartë në orientimin e saj kombëtar. Në këtë mënyrë, dashur pa dashur “çohet ujë në mullirin e Serbisë” – një shtet që nuk ka hequr dorë asnjëherë nga ambicia për të rimarrë Kosovën, duke përdorur forma të reja për qëllime të vjetra.
***
Në përmbyllje, duhet theksuar se Shqipëria ka qëndruar gjithmonë në mbështetje të bashkëkombësve të saj, pa asnjë hezitim. A ka shembull më kuptimplotë dhe më domethënës për këtë qëndrim se hapja e dyerve për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës të dëbuar nga trojet e tyre gjatë luftës së Kosovës? Ky akt i solidaritetit kombëtar mbetet një dëshmi e qartë se ndarja administrative nuk mund të shndërrohet në ndarje shpirtërore apo historike.
Megjithatë, historia nuk është vetëm kujtesë; ajo është edhe udhëzues për të ardhmen. Në këtë drejtim, Shqipëria me të drejtën dhe përgjegjësinë që rrjedh nga pozita e vëllait më të madh, jo vetëm që duhet të hapë rrugë dhe të tregojë durim, por edhe të “godasë me shkopin e arsyes” kur vëllai i vogël devijon nga rruga e përbashkët. Ky rol nuk duhet të kuptohet si paternalizëm, por si përkujdesje e ndershme ndaj të ardhmes së një kombi që ndan të njëjtën gjuhë, histori dhe aspiratë. Në këtë kuadër, heshtja e gjatë dhe shpeshherë e pashpjegueshme e kryeministrit Edi Rama për krizat aktuale politike të njëpasnjëshme në Kosovë ngre shumë pyetje.
Të dy shtetet shqiptare kanë ende shumë për të mësuar dhe për të bërë, në mënyrë që të ruajnë dhe kultivojnë një identitet kombëtar shqiptar të qëndrueshëm në shekujt që vijnë. Kjo kërkon largpamësi, guxim dhe mbi të gjitha ndershmëri intelektuale, për të mos lejuar që fragmentarizimi institucional të kthehet në ndarje kombëtare. Identiteti shqiptar nuk është një veshje që mund të ndërrohet sipas rrethanave, por një themel historik, kulturor dhe shpirtëror që duhet të ushqehet e mbrohet nga të gjithë – në Tiranë, në Prishtinë dhe kudo ku rreh një zemër shqiptare.
Shënim:
Mendimet dhe analizat e paraqitura në këtë studim përfaqësojnë ekskluzivisht qëndrimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë në asnjë mënyrë institucionin ku ai ushtron aktivitetin profesional. Çdo referencë ndaj zhvillimeve institucionale është bërë në mënyrë analitike dhe në përputhje me të drejtën për mendim të lirë akademik.
Referencat:
• Elsie, Robert. Historical Dictionary of Kosovo. Lanham, MD: Scarecroë Press, 2004.
• Kastrati, Ardian. Identiteti politik i shqiptarëve të Kosovës: nga nacionalja tek qytetarja. Prishtinë: Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), 2015.
• Kraja, Mehmet. Identiteti kosovar, Prishtinë 2011.
• Malcolm, Noel. Kosova, një histori e shkurtër, Prishtinë 2001.
• Ramet, Sabrina P. The Three Yugoslavias: State-building and Legitimation, 1918–2005. Bloomington: Indiana University Press, 2006. /dritare.net

















