Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Policia: Inspektorët e IMT u kërkonin para lokaleve për të lejuar tendat

Policia: Inspektorët e IMT u kërkonin para lokaleve për të

Policia e Shtetit ka reaguar për arrestimet te IMT Tiranë, ku punonjës të këtij institucioni ishin përfshirë në raste korrupsioni duke u marrë para lokaleve për të mos ju shembur tendat pa leje.

Gjatë aksionit, policia ju ka sekuestruar 3000 eurove inspektorëve.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira publike“, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në drejtimin e SPAK-ut.

Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të një procedimi të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“ dhe “Shpërdorimi i detyrës“, të kryera në bashkëpunim, finalizoi operacionin e koduar “Hapësira publike“.

Në kuadër të këtij operacioni:

-u arrestua në flagrancë shtetasi G. F., 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë;

-nisi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë;

-u shpall në kërkim shtetasi K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.

Punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjme.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.