
Skemat piramidale online/ Braçe denoncon me emra rastet në Divjakë!
Dritare.net
Deputeti i PS, Erion Braçe, përmes një videoje të publikuar në rrjetet e tij sociale ka reaguar ashpër kundër tre skemave piramidale online Xuexa, Txex dhe Grokr duke bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme të aktivitetit të tyre.
Ai tha se Policia e Shtetit përmes Drejtorisë së Krimit Kibernetik dhe asaj të Krimit Ekonomik e Financiar, së bashku me Agjencinë për Sigurinë Kibernetike dhe AKEP, kanë nisur bllokimin e aksesit në këto platforma mashtruese dhe po kryejnë hetime të thelluara për organizatorët dhe rekrutuesit.
Braçe u drejtua drejtpërdrejt dy kompanive të internetit që mbulojnë Divjakën, Endi Internet dhe Luva Group, duke i paralajmëruar të zbatojnë menjëherë urdhrin për bllokimin e piramidave.
Deputeti bëri edhe një apel të fortë për banorët e Divjakës dhe Lushnjës.
Në këtë reagim publik, Braçe i drejtoi një mesazh të qartë agjentëve të përfshirë: “Kuptoni që po flisni me robotin Leo Smith, jo me një nga ju. Prioritet tani është ndërprerja e aktivitetit jo vetëm në grupe Telegram dhe WhatsApp, por edhe ndalimi i kërcënimeve ndaj viktimave që duan të dalin nga piramida! Stop! Fuqia e ligjit po vjen tek ju!”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje banorëve të Divjakës dhe Lushnjës që të largohen nga Xuexa dhe çdo piramidë tjetër online, duke shpëtuar veten dhe kursimet e tyre. Braçe paralajmëroi se këto skema nuk ndryshojnë nga skemat mashtruese të së kaluarës, si ajo e Rrapush Xhaferrit, përveç faktit që tani funksionojnë në mënyrë virtuale./E.P-dritare.net

















