
Gënjeshtar dhe shpifës. Gonxhja reagon pas akuzave të Balliut për kompaninë e bashkëshortes
Dritare.net
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të deputetit opozitar Klevis Balliu, i cili pretendoi se kompania e drejtuar nga bashkëshortja e tij, “Albarent”, ka pasur detyrime tatimore që arrijnë deri në 1.2 milionë euro.
Në një deklaratë publike, Gonxhja e cilësoi këtë një “gënjeshtër groteske”, duke theksuar se shuma maksimale e detyrimeve të prapambetura ka qenë vetëm 1.2 milionë lekë, jo euro.
“Është komikisht groteske vlera 1.2 milionë euro që Balliu Jr. recitoi paturpësisht! Shoqëria ‘Albarent’ nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe asnjëherë nuk i është falur as edhe një detyrim tatimor,” – u shpreh ministri.
Ai shtoi se marrëdhënia e kompanisë me administratën tatimore ka qenë gjithmonë korrekte dhe në 15 vite aktivitet janë paguar 2.3 milionë euro detyrime tatimore, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë detyrim të prapambetur.
“Sfidoj gënjeshtarin dhe çdo baltosës të provojë akuzat! Çdo informacion tatimor mbi ‘Albarent’ mund të verifikohet në Zyrat e Tatimeve me lejen time publike,” – deklaroi Gonxhja.
Ministri akuzoi opozitën se po shpërndan lajme të pavërteta përmes portaleve dhe po ushtron një politikë të bazuar në shpifje./L.F-dritare.net

















