Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si u zbulua vendbanimi 8000-vjeçar në Lin!

Si u zbulua vendbanimi 8000-vjeçar në Lin!

Tek ky vendi ku duket sikur ka vetëm zhurmë bretkosash, gjendet në fakt vendbanimi më i lashtë në Europë. Dhe është këtu. Në Shqipëri! Është 8000 vjeçar. Është në Lin.

Lin Tre, një sit arkeologjik pranë Liqenit të Ohrit, daton rreth 5.800-5.700 vjet para Krishtit dhe tregon mënyrën se si kanë jetuar njerëzit në periudhën e Neolitit.

Zbulimi i këtij vendbanimi nënujor, i cili përbën një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike shqiptare, është rezultat i bashkëpunimit mes ekipit shqiptar të drejtuar nga zoti Anastasi dhe bashkëpunëtorëve zvicerianë. Kërkimet sistematike nisën që në vitin 2012 dhe, përmes sondazheve nënujore dhe analizave shkencore, u konfirmua që këto banesa palafite janë ndër më të hershmet në Europë.

Banesa palafite, të ndërtuara mbi liqen, ishin kasolle prej balte dhe byku të përzier me kallama dhe thupra të holla. Ato ngriheshin disa metra mbi sipërfaqen e ujit për t’u mbrojtur nga përmbytjet, kafshët e egra dhe konfliktet me komunitete të tjera. Sipërfaqja e zbuluar e Lin Tre-shit mbulon mbi 3.500 metra katror dhe ka dëshmi të përdorimit të vazhdueshëm për rreth 2.000 vjet.

Procesi i zbulimit ka përfshirë analiza me karbonin 14 dhe metodat dentrokronologjike, të cilat lejojnë datime të sakta të strukturave druri, duke përafruar vitin e prerjes së pemëve deri në dy vjet diferencë. Këto metoda moderne kanë mundësuar rikonstruksionin e historisë së jetës në këtë zonë, duke ruajtur materialet origjinale të palafiteve.

Objektet e gjetura dhe palafitet origjinale tashmë ruhen dhe ekspozohen në Muzeun Arkeologjik të Pogradecit, duke ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për studim shkencor dhe turizëm kulturor. Në të ardhmen, projektohet krijimi i një muzeu të dedikuar pranë Lin Tre-shit, me ekspozita nënujore dhe sisteme vizuale që lejojnë turistët të vëzhgojnë banesat pa i dëmtuar ato.

Zbulimi i Lin Tre-shit jo vetëm që vendos Shqipërinë në hartën e trashëgimisë arkeologjike europiane, por edhe hap perspektiva për zhvillimin e turizmit kulturor dhe kërkimit shkencor në rajon. Ky vendbanim është një dritare e rrallë në historinë e jetës së hershme njerëzore.E.P-dritare.net